Juventusi është ende një kantier i hapur, teksa drejtori sportiv Cristiano Giuntoli po punon për të formuar një skuadër konkurruese në dispozicion të trajnerit Thiago Motta.
Në pritje për t’u zgjidhur e ardhmja e Federico Chiesës, i cili me gjasë do të largohet nga Torino, drejtuesi i klubit bardhezi vijon të punojë për të afruar një sulmues krahu, por edhe një qendërsulmues.
Kjo pasi Milik po vuan dëmtime të shpeshta dhe Vlahovic nuk mund të mbajë i vetëm peshën e repartit të avancuar, teksa media pranë klubit bardhezi kanë nxjerrë emrin e sulmuesit kuqezi Armando Broja, si një alternativë për t’u afruar te Juventusi.
Sipas tyre bëhet me dije se Giuntoli ka kontaktuar drejtuesit e Chelsea-t për t’u konfirmuar vullnetin e Juventusit për të marrë sulmuesin shqiptar në huazim me të drejtë blerjeje verën e ardhshme, opsion ky që nuk preferohet fort nga londinezët, që duan ta shesin njëherë e mirë Brojën.
Gjithsesi deri tani për sulmuesin shqiptar nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete që të kënaqë pretendimet e Chelsea-t, ndaj nuk përjashtohet mundësia që në ditët e ardhshme londinezët të pranojnë opsionin e huazimit të tij te Juventusi.
Nga ana tjetër, duket se trajneri Thiago Motta ka dhënë miratimin e tij për Brojën, të cilin e sheh sit ë duhurin jo vetëm për të zëvendësuar Vlahovic, por edhe për të luajtur bashkë me serbin në rast të një skeme me dy sulmues.