“Nuk është skuadër”. Të nesërmen, këto fjalë, të pëshpëritura nga Giorgio Chiellini për Max Allegri në mes të ndeshjes Juventus-Empoli 0-1, kumbuan më shumë sesa fishkëllimat shurdhuese të tifozëve në “Allianz Stadium”. Ato ranë si dush i ftohtë për të gjithë ekipin, kur bilbili i trefishtë i gjyqtarit vulosi humbjen në shtëpi. Sidoqoftë, fjalia e Chiellini, e kapur nga kamerat dhe e bërë “virale” në rrjetet sociale, lë pak vend për interpretim, edhe nëse në këto raste dyshimi i “përkthimit” të saktë të buzëve të kapitenit mund të mbetet.
Mbeten disa reflektime të menjëhershme, të njëjtat që janë bërë menjëherë pas ndeshjes. Kërkesat e sakta të Allegrit në merkato, hyrëse dhe dalëse, kanë mbetur vetëm pak orë për t’u adresuar. Flitet për një grup lojtarësh që ka shumë boshllëqe dhe defekte. Vetëm pjesërisht i ruajtur në tri vitet e fundit nga prania e Cristiano Ronaldos, i toleruar keq, por gjithsesi një kampion me 101 gola në 134 ndeshje. Ndoshta nuk ishte as me të, por versioni i parë pa CR7 duhet të gjykohet kështu: Juventusi nuk është skuadër.
Leonardo Bonucci ishte gjithashtu i ashpër. Qendërmbrojtësi zgjodhi Instagramin për të thënë fjalën e tij, pas humbjes në shtëpi të Juventusit ndaj Empolit, të shtunën në mbrëmje: “Juve nuk është i njëjtë me atë të djeshmin. Tani duhet punë, le t’i lëmë llafet”. Në fakt ishte shumë e brishtë për të qenë e vërtetë, një Juve krejtësisht e çorientuar, e pasigurt mbrapa, e palëvizshme në rastin e golit të Leonardo Mancuso.
Megjithatë, kjo është mbrojtja dhe nuk do të ndryshojë. Pas ndalesës së kampionatit për shkak të kualifikueseve të kombëtareve, vetë Chiellini do të kthehet në rotacionet e qendrës së prapavijës, ndaj Danilo do të jetë në gjendje të kthehet në rolin e tij. Shqetësime edhe në sulm, përkundër “solove” të Federico Chiesa dhe disa ndezjeve të Paulo Dybala (i cili shkoi nën ‘Curva Sud’ për të kërkuar falje nga tifozët). Asnjë gol nuk doli në dritë kundër Empolit të vogël dhe të ri.
Për të kaluar te mesfusha, repart që nuk duket aspak adekuat. Lëndimet dhe ardhjet e vonuara janë vetëm një pjesë e problemit. E vërteta është se Manuel Locatelli vetëm nuk mund të jetë i mjaftueshëm për të ndryshuar fytyrën e një reparti që gradualisht është bërë hallka e dobët e skuadrës. Duke përzier gjithçka, del një Juve që nuk e kapërceu krizën e sezonit të kaluar.
Një pikë e vetme në dy ndeshje përfaqëson një produkt që as më pesimistët nuk mund ta kishin parashikuar. Allegri detyrohet kështu t’i ndjekë të gjithë në Serie A, teksa kreu është 5 pikë larg, pas vetëm dy ndeshjeve të para të sezonit të ri në Serie A.