Paralajmërimi i koncernit Volkswagen për mbylljen e fabrikave dhe pushimet nga puna në Gjermani ka ngjallur kritika dhe rezistencë nga politikanët dhe sindikatat.
Volkswagen-i, prodhuesi më i madh i automjeteve në Europë, po intensifikon masat për uljen e kostove, të cilat nuk përjashtojnë më as mbylljen e fabrikave apo pushimet nga puna në Gjermani.
Njoftimi i koncernit se tani planifikon edhe mbylljen e fabrikave në Gjermani është i paprecedent në historinë 87-vjeçare të prodhuesit gjerman të automjeteve. Mbyllje të impianteve më parë u konsideruan jashtë tryezës për kompaninë me qendër në Wolfsburg.
Volkswagen ka 680,000 punonjës në mbarë botën. Por tani menaxhmenti ndihet gjithashtu i detyruar të përfundojë programin për garancinë e vendeve të punës, i cili ka qenë në fuqi që nga viti 1994 dhe ndalon shkurtimet e vendeve të punës deri në vitin 2029.
Ekspertët tashmë po flasin për një ndryshim të rëndësishëm në punëdhënësin më të madh industrial të Gjermanisë, i cili për shkak të strukturës së tij aksionare ka qenë gjithmonë një ndërmarrje e kontrolluar nga shteti dhe familja Porsche. Shteti rajonal i Saksonisë së Ulët mban ende një të pestën e aksioneve të kompanisë dhe një vend të përhershëm në bordin mbikëqyrës, që do të thotë se sigurimi i vendeve të punës dhe fabrikave është gjithmonë çështje me interes shtetëror.
VW në pozitë të vështirë pasi plani i kursimit dështoi
Kjo mund të ndryshojë tani që menaxhmenti beson se kompania është në një pozitë të pasigurtë. Vitin e kaluar, Volkswagen nisi një program për uljen e kostos që synonte të kursente 10 miliardë euro (11.06 miliardë dollarë) deri në vitin 2026. Megjithatë, gjigandi VW do t’i duhet të ulë koston për 4 miliardë euro shtesë, sipas një raporti nga e përditshmja ekonomike gjermane Handelsblatt.
Në një letër drejtuar punonjësve të hënën, shefi i firmës Volkswagen, Thomas Schäfer e përshkroi situatën si “jashtëzakonisht të tensionuar” dhe larg qëllimit të “masave të thjeshta për uljen e kostos.” Shefi ekzekutiv i Volkswagen AG, Oliver Blume, shtoi se tregu europian i automobilave është në një “situatë shumë sfiduese dhe serioze” dhe se Gjermania ka mbetur prapa në konkurrencë.
Si rezultat, 10 firmat e makinave brenda Volkswagen AG duhet të ristrukturohen në mënyrë gjithpërfshirëse dhe “mbyllja e fabrikave nuk përjashtohet më”, tha Blume, duke shtuar se pushimet nga puna përmes pensioneve të parakohshme dhe paketave të pushimit gjithashtu nuk janë më të mjaftueshme. Prandaj, Volkswagen ndihet “i detyruar të ndërpresë marrëveshjen e sigurisë së punës që ka qenë në fuqi që nga viti 1994”.
‘Goditje në stomak‘
Volkswagen nuk ka dhënë ende shifra specifike në lidhje me atë se sa nga rreth 120,000 vende pune në Gjermani mund të eliminohen. VW ende nuk ka identifikuar gjithashtu se cilat vende mund të mbyllen. Megjithatë, sipas deklarate të këshillit të punëtorëve të VW-së, menaxhmenti konsideron të pazëvendësueshme të paktën një fabrikë automjetesh dhe një fabrikë pjesësh në Gjermani.
Kjo mund të përfshijë potencialisht fabrikën në Emden, në Gjermaninë veriore, ku Volkswagen dhe kantieri i anijeve Meyer janë punëdhënësit më të rëndësishëm në rajonin e njohur si Frisia Lindore.
“Prosperiteti i Frisisë Lindore varet shumë nga këto kompani. Çdo punë industriale e sindikalizuar që humbet është një goditje në stomak për të gjithë rajonin,” tha për DW kryebashkiaku i Emdenit, Tim Kruithoff.
Kryebashkiaku i Emdenit ka mbështetjen e drejtuesve të sindikatave si Thorsten Gröger, i cili përshkroi mbylljen e fabrikës së VW-së si “plani i papërgjegjshëm”. Kreu i sindikatës rajonale të punëtorëve të metaleve IG Metall tha për agjensinë e lajmeve Reuters se plani është “jo vetëm dritëshkurtër, por edhe shumë i rrezikshëm” dhe se rrezikon “të shkatërrojë zemrën e Volkswagen”. Gröger gjithashtu u zotua se do të “luftojnë me të gjitha forcat” për të ruajtur të gjithë fabrikat dhe vendet e punës.
Ndërkohë, sindikata e punëtorëve të VW-së është mjaft e acaruar nga ngurrimi i VW-së për të sqaruar se kush mund të preket dhe si. “Kjo i vë të gjitha fabrikat gjermane në pikëpyetje – pavarësisht nëse janë pjesë e Volkswagen apo filiale të saj, në Gjermaninë perëndimore apo lindore,” tha Daniela Cavallo, kreu i këshillit të përgjithshëm të punëtorëve. Ajo shpalli “rezistencë të ashpër”.
Transformimi i industrisë automobilistike gjermane
Megjithatë, shumë ekspertë besojnë se mbyllja e fabrikave të Volkswagen në Gjermani është e pashmangshme. Helena Wibsert, drejtore e Qendrës për Hulumtime Automobilistike (CAR) në Duisburg, Gjermani, mendon se “nuk ka rrugëdalje tjetër”. Ajo i tha revistës gjermane Spiegel të martën se deri më tani, shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve në impiante mund të kompensohej nga përmes kursimit nga furnitorët e jashtëm. “Kjo nuk është më e mjaftueshme,” shtoi ajo.
Moritz Schularick, president i Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, i sheh masat e shpallura për uljen e kostove si fillimin e një transformimi në industrinë gjermane të automobilëve. Ai i kërkon qeverisë gjermane të mos ndërhyjë në prodhuesit e makinave që hasin në vështirësi. “Industritë në zhvillim po kërkojnë dëshpërimisht punëtorë,” i tha ai të përjavshmes ekonomike gjermane “Wirtschaftswoche”
Struktura e mangët e pronësisë së Volkswagen
Themeluesi dhe drejtori i CAR, Ferdinand Dudenhöffer sheh një “problem të vjeter tek VW”, sepse prodhuesi i makinave është “më shumë si një ndërmarrje shtetërore sesa një kompani e drejtuar nga tregu”. Problemi do të vazhdojë, tha ai për DW, për sa kohë që struktura e kompanisë së Volkswagen do të mbetet defektive. Së bashku me 20% të aksioneve dhe një vend në bordin e VW, landit të Saksonisë së Poshtme iu dha gjithashtu një pakicë bllokuese në vendimet kryesore.
Kryeministri i Shtetit të Saskonisë së Ulët, Stephan Weil tashmë ka kritikuar menaxhmentin e VW-së, duke thënë se “çështja e mbylljes së fabrikave nuk do të lindë për shkak të përdorimit të suksesshëm të alternativave të tjera”.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Emdenit, Tim Kruithoff, është i bindur se gjërat nuk do të jenë aq të tmerrshme për qytetit e tij. “Jam plotësisht i bindur që fabrika në Emden nuk do të ndikohet nga ky plan”, tha ai për DW, duke vënë në pah se VW ka investuar “më shumë se një miliardë euro” në fabrikë për ta bërë atë gati për “të ardhmen e elektromobilitetit”./DW