Rreziku i një përshkallëzimi të luftës në Ukrainë është shumë i lartë. Kështu është shprehur Ministri i Mbrojtjes ruse, Andrei Belousov, gjatë një bisede telefonike me shefin e Pentagonit, Lloyd Austin.
Shkak sipas zyrtarit të lartë rus janë furnizimet me armë të amerikanëve për Ukrainën, citon agjencia e lajmeve Tass. “Të dy ministrat, gjatë një bisede telefonike me iniciativën amerikane, shkëmbyen mendime për situatën në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e Mbrojtjes ruse, e cila shton se “Belousov theksoi rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm për shkak të furnizimeve të vazhdueshme të armëve nga SHBA për Ukrainën. Forcat e Armatosura”.
Bisedën telefonike midis Austin dhe Belousov e konfirmoi edhe Pentagoni i cili me anë të zëdhënësit të saj, Pat Ryder vuri në dukje në një deklaratë për mediat, se të dy ranë dakord të “mbajnë linjat e komunikimit të hapura”.
Sekretari i Mbrojtjes nuk kishte folur me homologun e tij nga Moska, që nga marsi i vitit 2023.
Ndërkohë tonet e deklaratave vijojnë të mbeten të larta nga përfaqësuesit rus. Diplomati më i lartë i Rusisë për kontrollin e armëve tha se Rusia kishte bërë përparime në parandalimin bërthamor e cila do ta lejoj atë të garantoj sigurinë e saj për dekadat në vijim, edhe në një epokë të dominuar nga përparimet në Inteligjencën Artificiale.
Zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov tha në një konferencë në Moskë, ai tha se, Moska po ndjek me sukses politika të parandalimit bërthamor të cilat do të sigurojnë të ardhmen e Rusisë për dekadat e ardhshme. Ai paralajmëroi se nëse Perëndimi nënvlerëson vendosmërinë e Moskës, kjo mund të çojë në pasoja “tragjike dhe fatale”, sepse SHBA dhe aleatët e saj po përballeshin me një fuqi të madhe bërthamore – Rusinë, përfundoi Ryabkov.
Sakaq, raportohet se forcat e Kievit kanë sulmuar termocentralin në Zaporizhia, duke shkaktuar dëme të mëdha. Mediat ndërkombëtare flasin për shkatërrim të stacionit të kontrollit të rrezatimit.