Në një intervistë të gjatë për televizionin italian Rai 3, teksa ka folur për kampet e emigrantëve, por mbi të gjitha për akuzat e ngritura se qeveria shqiptare ka lidhje me krimin, kryeministri Edi Rama është përgjigjur edhe ndaj akuzave konkrete nga ish-zëvendësi i tij Arben Ahmetaj, i cili po në Rai 3, ka thënë se ka parë me sytë e tij që Rama ka pritur në zyrë kriminelë.
Rama theksoi se ai takohet me shumë njerëz dhe nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëjë punën e saj.
“Më falni, unë takohem me shumë njerëz dhe unë mbaj përgjegjësi për atë që bëj vetë dhe për atë çfarë personat janë kur vijnë tek unë. Pastaj, nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëj punën e saj dhe, sigurisht, më takon mua, i takon qeverisë, i takon administratës të distancohen. Nëse unë ju them, më falni, po ju takoheni me Francesco Becchettin, që është një kriminel, më fal po çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj”, tha kryeministri.
Pjesë nga intervista e Kryeministrit Edi Rama në Rai 3
Rai3: Kemi folur me një eksponent, ish-eksponent të rëndësishëm të qeverisë suaj, i cili pretendon se vitet e kaluara, shpesh, gjatë mbledhjeve zyrtare të qeverisë, ka paralajmëruar për kanabizimin dhe se ju keni thënë që do të jetë një “boost”, një kontribut i rëndësishëm për ekonominë, do të zhvillojë shqiptarët. A është e vërtetë?
Rama: Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen.
Rai3: I njëjti person pretendon se në këtë zyrë kanë ardhur edhe shefat e organizatave kriminale shqiptare dhe që ju i keni takuar këtu.
Rama: I njëjti burim.
Rai3: Po.
Rama: Atëherë, duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë.
Rai3: E, megjithatë, ka mbajtur poste shumë të rëndësishme në qeveritë tuaja.
Rama: Ah! Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka”.
Rai3: Po, a është e vërtetë apo jo që ju keni takuar figura të krimit të organizuar shqiptar.
Rama: Do ju them diçka, se është ajo çka e bëri të neveritshëm reportazhin tuaj.
Rai3: Megjithatë, unë jam këtu për të dëgjuar mendimin tuaj.
Rama: Do t’ju them këtë. Që nga romakët, civilizimi ynë e ka zgjidhur këtë problem. I takon barra atij që akuzon të paraqesë provat, jo të akuzuarit, sepse, nëse unë ju akuzoj tani ose nëse ju bëj një pyetje të pafajshme, po që është e rëndë: “Më falni, mos ju ka paguar gjë Becchetti?” Ju takon juve ta vërtetoni apo më takon mua ta vërtetoj? Atëherë, nëse unë jua bëj këtë pyetje, ju do thoni: “Sigurisht që jo.” Po nuk është kjo mënyra për të ushqyer publikun, sepse, ndërkohë, po t’jua bëj këtë pyetje, publiku do të nisë të mendojë me vete, “ëhëëë”, pasi, përgjithësisht, qenia njerëzore është shumë herë më e prirur të tërhiqet gënjeshtrat sesa të vërtetat. Në shumicën e rasteve, të vërtetat janë të mërzitshme, nuk përbëjnë lajm; gënjeshtrat ndërkohë janë argëtuese, përbëjnë lajm dhe, pastaj, të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjithë politikanët janë kriminelë. Atëherë, pse jo, edhe krerët e organizatave kriminale kanë ardhur këtu dhe unë vizatoj, ndërkohë që ata më vinin përpara hartat e tyre të trafiqeve. Do ishte një film i bukur.
Rai3: Sigurisht, një detaj specifik për figurën e Erebus (zoti i krimit) Agasit, domethënë Erebus Agasi mund të jetë paksa ai që ka raporte…
Rama: Më fal, po si mundemi të bëjmë ne një intervistë, me ju që përfaqësoni një program të famshëm në Itali, që ka bërë edhe hetime, të cilat kanë bërë zbulime befasuese, pra shërbimi publik, dhe me mua që jam Kryeministri i Shqipërisë, e këtu e sjellim bisedën në një nivel kaq të ulët dhe flasim për njerëzit. Domethënë, marrim emra njerëzish, të cilët as nuk janë të pranishëm, nuk kanë poste e tituj, njerëz që kanë jetët e tyre, nuk është e mundur.
Rai3: Unë ju bëj një pyetje, përgjigjja juaj mund të jetë bindëse.
Rama: Përgjigjja ime është kjo: “Nuk është në shërbim të publikut të marrësh emrat e njerëzve, që kanë jetët e tyre, që janë në punën e tyre, të cilët nuk kanë lidhje kurrkund me punën tuaj, me punën time, që është një punë me peshë, ku flitet vërtet për gjera me peshë, e bëhen pastaj objekt.
Rai3: Po edhe media shqiptare flasin për Agasin si njeriu hije i pushtetit tuaj. Është kështu apo jo?
Rama: Jo. Mediat shqiptare nuk bëjnë dallim. Unë midis “Report” dhe homologes së tij në Shqipëri zgjedh Report-in. Domethënë, për mua neveria e Report-it është mjaltë krahasuar me neverinë e homologes suaj këtu në Shqipëri. Mediat shqiptare nuk janë një argument për këtë. Unë, kur flas me ju, duke qenë se më përmendët arkitektët, flas me dikë që përfaqëson kategorinë që, le të themi, është krijuar nga Montanelli, jo kategorinë e krijuar nga Enver Hoxha.
Rai3: Duke hyrë më konkretisht në gjërat për të cilat ka prova të dokumentuara: takimet tuaja me Luftar Hysën. Pse jeni takuar me Luftar Hysën këtu në vitin….
Rama: Një tjetër emër që përmendet si pa të keq. Më fal, po nuk dua të humbas mundësinë për të dalë në transmetim te ju duke përmendur emra, që nuk di as çfarë duan të thonë apo kush janë.
Rai3: Sipas autoriteteve kanadeze është një prej pastruesve më të mëdhenj të parave dhe i kartelit të lojërave të fatit. Këtu në Shqipëri i është dhënë koncesion për një kazino, kështu që flasim për fakte dhe rrethana mjaft konkrete.
Rama: Unë ju them këtë, që ju flisni për Engjëll Agaçin dhe këtu ishte kulmi i emisionit tuaj.
Rai3: Do jua bëj pyetjet për Agaçin.
Rama: Epo, ndërkohë që më flisni për emra që nuk hyjnë fare. Është një fyerje e inteligjencës, të zësh në gojë emra.
Rai3: Po, për mua si gazetar, fakti që kreu i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë takohet me një figurë që, më pas, zbulohet se është pastruesi i parave të kartelit Sinaloa dhe një nga pjesëtarët më të rëndësishëm, për mua ky është lajm dhe unë do t’ju pyes për këtë. Nuk do bëja mirë zanatin tim, nëse nuk do ju pyesja.
Rama: Më falni, unë takohem me shumë njerëz dhe unë mbaj përgjegjësi për atë që bëj vetë dhe për atë çfarë personat janë kur vijnë tek unë. Pastaj, nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëj punën e saj dhe, sigurisht, më takon mua, i takon qeverisë, i takon administratës të distancohen. Nëse unë ju them, më falni, po ju takoheni me Francesco Becchettin, që është një kriminel, më fal po çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj.
Rai3: Unë, sidoqoftë, jam gazetar dhe marr në intervistë kriminelë dhe jokriminelë, ndërkohë ju, si kryeministër, nuk duhet të takoheni me kriminelë.
Rama: Unë nuk takohem me kriminelë, në rregull? Kjo është fyese.
Rai3: Atëherë, distancoheni nga Luftar Hysa?
Rama: Unë as që e di kush është, në rregull? Nuk e di as kush është. Kam takuar njerëz, e përsëris, shumë njerëz, shqiptarë që ikin e vijnë, që duan të takohen, të shohin, me miq e me të tjerë. U thuhet, “në rregull, ejani, çfarë do bëni, si do e bëni”, etj. Megjithatë, fakti që një person edhe në qeveri apo një person që vjen nga jashtë, del nesër që është i kalbur nuk më bën mua përgjegjës që e kam takuar atë apo kam takuar dikë tjetër. Pra, kjo është mënyra sesi bëhet një gazetari që bën pis, që bën pis, sepse…
Rai3: Jo, nuk bën pis, sepse tani do ju bëj këtë pyetje. Duke qenë se tani e dini kush është Luftar Hysa, do ia anuloni koncesionin për kazinonë? Do e anuloni lejen për Valona Construction, që, sipas autoriteteve kanadeze, është kompania guaskë e Hysës?
Rama: Më fal, e para fare, unë as nuk jap, as nuk anuloj koncesione apo çfarëdo që të jetë.
Rai3: Po keni post shtetëror.
Rama: Më fal, po unë nuk jam shteti, jam Kryeministri. Shteti ka strukturat e veta, ka administratën e vet, sepse është siç e thashë më parë. Pra, krimineli italian, i cili është dënuar këtu me 17 vjet, i është drejtuar gjykatës për një problem, që, sipas tij, është krijuar nga ne, ndërkohë që ai pastronte para dhe ka përdorur një fjalë timen, postuar në Tëitter, pasi ishte shprehur prokuroria, si presion kundër lirisë së shtypit. Pra, duhet kaluar përmes rrugës gjyqësore, përmes rrugës institucionale për çdo subjekt, për gjithçka, sepse hetimet janë një gjë, proceset gjyqësore janë një gjë tjetër, vendimet e formës së prerë nga gjykatat janë diçka tjetër dhe po te dilet me shpatë e të flitet qesim, pastaj e gjen veten në situata shumë të parehatshme nga këndvështrimi i shtetit.
Rai3: Pra, duke qenë se keni dhënë një koncesion, keni nisur hetim për këtë shoqëri?
Rama: Ju po më thoni një gjë që vetëm tani e marr vesh, se po ma thoni ju, se as nuk jam në dijeni të kësaj gjëje. Jua përsëris, edhe njëherë, ne, shteti shqiptar nuk jep koncesione, nuk u jep leje, nuk iu jep asgjë kriminelëve. Pastaj, nëse ndokush del se është një person që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për afera, siç ndodh në Itali çdo muaj, ju nuk do ta merrnit kurrë guximin të thoshit, “atëherë, për këtë, kryeministrja italiane që është takuar me atë njeri, është një kriminele”
Rai3: Po, po, kur më pas zbulohet se ka një hetim ndërkombëtar, pezullohet aktiviteti i këtyre shoqërive tregtare, nëse dyshohen si mafioze, që do të thotë se, nëse janë mafioze, nuk ka nevojë as për proces gjyqësor.
Rama: Edhe njëherë, se po i shtojmë fjalë…
Rai3: Jo nuk dua të shtoj gjë.
Rama: … për këtë. Ju po përpiqeni ta çoni intervistën në drejtimin që doni, që do të thotë, të vazhdoni të këmbëngulni te emisioni i mëparshëm, që këtu ka një histori kriminelësh, një histori personazhesh të errëta e kështu me radhë.
Rai3: Nëse kryeministrja italiane do të takohej me njeriun që pastron paratë për kartelet meksikane, do i bëja pyetje të përsëritura breshëri vetëm për këtë aspekt.
Rama: E kuptoj.
Rai3: Kështu që, nuk ka të bëjë me ju e me Shqipërinë.
Rama: E kuptoj, por po jua përsëris. Unë nuk kam takuar asnjë pastrues të asnjë lloj paraje të asnjë pale. Unë jam takuar me shqiptarë, të cilët kanë ardhur tek unë, më kanë thënë që kishin synim të zhvillonin diçka dhe iu kam thënë: “Bëni si të doni, ligji dhe rrugët janë të qarta”. Dhe nuk me duket që ndokush të ketë përftuar ndonjë gjë si favor. Pastaj, nëse del se dikush është i bërë pis, atëherë, këtu ka ligje. Është sekuestrimi, është një gjë a një tjetër. Po është krejt ndryshe, domethënë nuk vjen prej meje. Është drejtësia, është…