Dy asiste dhe një gol realizoi Nedim Bajrami në dy ndeshjet miqësore të Kombëtares shqiptare para nisjes së Kampionatit Europian, duke qenë futbollisti më aktiv në këto takime, edhe pse ndaj kundërshtarëve modest.
Ai foli pas miqësores ndaj Azerbajxhanit, të cilën kuqezinjtë e fituan 3-1, duke u shprehur se në Gjermani do të luftohet për çdo pikë.
“Këtu në Kombëtare, jemi të gjithë të motivuar, çdokush do të japë maksimumin. Goditjet nga jashtë zonës i provojmë gjithmonë. Edhe Asani ndeshjen e kaluar dhuroi një supergol. Duhet të vazhdojmë kështu. Të gjithë do të ikim në Europian, do të luftojmë për çdo pikë, për çdo top, jemi përgatitur shumë mirë. Besoj se jemi gati tani.
Me Brojën kuptohemi shumë mirë, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë. Jemi të gjithë çunat gati, e di trajneri kush do të fillojë. Në këto 2 ndeshje jemi ndjerë shumë mirë. Kundërshtarët i kemi shumë të vështirë. Duhet të japim maksimumin”, tha Bajrami.