Me anë të një paralajmërimi të ashpër për rivalin e saj në Egje, Turqinë, Greqia theksoi se nuk do të tolerojë asnjë aktivitet të paligjshëm turk brenda zonës ekskluzive ekonomike të krijuar nga marrëveshja e vitit 2020 midis Athinës dhe Kajros.
“Asnjë ‘respekt’ nuk është treguar nga pala turke dhe si rrjedhojë asnjë respekt nuk do të tregohet në të ardhmen nga Forcat e Armatosura Greke ndaj veprimeve të paligjshme të Turqisë brenda zonës së përcaktuar ligjërisht midis Greqisë dhe Egjiptit, siç parashikohet nga Kushtetuta e Republikës së Greqisë”, tha Ministria e Mbrojtjes, citon Kathemirini.
Ky paralajmërim vjen pas një incidenti detar në Egjeun juglindor, ku një flotilje me anije turke u afrua pranë ishujve grekë të Kassos dhe Karpathos.
Turqia pretendoi se një anije kërkimore kishte shkelur shelfin e saj kontinental, duke pohuar se i kishte dhënë leje anijes që të kryente kërkimet dhe të nisej.