Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka një ide sesi mund të “organizojë” më mirë punën që bëjnë vartësit e tij. Për shkak të numrit të madh të dosjeve hetimore që kanë në dorë prokurorët e SPAK, raportohet se Altin Dumani ka hedhur idenë e krimit të një “apeli” brenda SPAK. Më shumë detaje lidhur me rastin ka dhënë gazetari Elton Qyno, në artikullin e botuar në “OraNews”.
Sipas tij, Dumani gjatë një takimi me përfaqësues të asistencës së huaj dhe stafin e prokurorëve të SPAK ka hedhur sugjerimin se mund të krijonin një Prokurori Apeli, me qëllim që hetuesit e SPAK të mos i ndiqnin më çështjet në shkallët e tjera të ankimimit që shkojnë deri në Gjykatën e Lartë. Sipas tij, ndjekja e këtyre shkallëve u harxhon kohë prokurorëve, të cilët mund të ishin duke ndjekur një tjetër çështje.
“Diskutimi ka konsistuar se ashtu siç ekziston një Gjykatë Apeli, duhet të ekzistojë dhe një prokurori e posaçme Apeli, që do ndjekë rrjedhën e përfaqësimit të akuzës në gjykatë”, shkruhet në artikull.
Por propozimi i Dumanit duhet të kalojë nga Kuvendi, atje ku do të vendoset nëse kjo ide e tij do të miratohet apo jo. Nëse jo, ka një tjetër propozim. Ky i fundit konsiston në krijimin e një seksioni brenda Prokurorisë së Posaçme.
Nga vetë Dumani mund të emërohen 2-3 prokurorë që do kenë lirinë të shkëputen nga hetimet dhe të ngarkohen vetëm me ndjekjet e çështjeve në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.