Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka reaguar ashpër në Twitter në lidhje me sulmet që kanë nisur ndaj SPAK pas aksioneve të fundit të zhvilluara prej saj.
Duke shpërndarë qëndrimin e ambasadës amerikane, diplomatja amerikane shprehu mbështetjen e SHBA për SPAK dhe shtoi se shpesh herë bëhet fushata për të shkaktuar konfuzion për t’i shpëtuar drejtësisë.
“Rastet e rëndësishme shpesh shoqërohen me fushata të shtrenjta për të hedhur dyshime dhe shkaktuar konfuzion, për të blerë ndikim, për të mohuar të vërtetën apo për t’i shpëtuar drejtësisë. Le ta themi qartë: Kjo ka të bëjë me dënimin e kriminelëve të njohur, asgjë më shumë, asgjë më pak. Ne mbështesim fuqimisht SPAK & ASP”, shkruan Kim.
Important cases are often accompanied by expensive campaigns to sow doubt & confusion, to buy influence, to deny the truth, to escape justice. Let’s be clear: this is about punishing known criminals – nothing more, nothing less. We strongly support SPAK & ASP. https://t.co/OVqXvFeo4E
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) August 7, 2020
Ndërsa Ambasada amerikane në Tiranë, thotë se SPAK duhet të lejohet të bëjë punën pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, ambasada thekson se një drejtësi e pavarur është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë.
“Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë – oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit – duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.
Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE”.