Dikush ka qejf videolojërat, dikush makinat, pastaj ka edhe nga ata, si Kai Havertz, që ka qejf… gomerët. Lojtari i Gjermanisë dhe Çelsit ka treguar se fundi pasionin e tij për këtë lloj kafshe gjatë një interviste për ‘Guardian’.
Sulmuesi gjerman ka themeluar ‘Kai Havertz Stiftung’, një shoqatë bamirëse që merret me mirëqenien e kafshëve dhe që u ofron asistencë të moshuarve dhe fëmijëve.
Mes pasazheve të intervistës spikat pikërisht detaji që lojtari i Çelsit ka marrë nofkën ‘gomari’ nga pasioni i tij për kafshën në fjalë.
“Po, është e vërtetë. Disa nga shokët e skuadrës më thërrasin kështu. Nuk është për mënyrën time të lojës, por për raportin special që kam me gomerët”, – ka rrëfyer Havertz.
“Më pëlqejnë shumë, janë të mirë, të qetë. Nuk duan të bëjnë shumë gjëra dhe janë gjithmonë të relaksuar. Duan thjesht të jetojnë të jetojnë jetën e tyre. Ndoshta më pëlqejnë kaq shumë, sepse edhe unë, në fund të fundit, jam kështu”, – shton sulmuesi.
Gjermani ka shpjeguar edhe se si ka lindur ky pasion për gomerët: “Prindërit më kanë dhuruar një gomar të madh pellushi, pastaj më blenë tre të vërtetë, kur mbusha 18 vjeç. I pari quhet Toni, si Rudiger. Ku janë tani? Në një stallë dhe unë aty shkoja dhe shkoj për t’u qetësuar pas një ndeshjeje të shëmtuar”.