Armaldo Kllogjeri, i ftuar këtë të martë në “Ftesë në 5”, foli për miqësitë e krijuara në shtëpinë e “Big Brother VIP”.
Armaldo tregoi se ka vazhduar shoqërinë me Oltën, me të cilën ka ndarë foto në rrjetet sociale teksa darkonin së bashku. Artisti nuk tregoi detaje për takimin, ndërsa me humor tha se konsumuan ushqime deti.
Teksa u shpreh se Luizin e ka mbështetur gjatë kohës kur ka qenë banor i “BBV”, Armaldo tha se ai do të jetë fituesi i këtij edicioni.
“Kam dashur ta fitoj një vajzë, por tani që ajo nuk është, besoj se është e pamundur ta fitojë një vajzë. Mendoj që Luizi e ka të garantuar tani. Është djalë shumë inteligjent”.
Ai tregoi se ka shumë njerëz që interesohen të dinë më shumë për lojën brenda shtëpisë së “Vëllait të Madh”, por edhe marrëdhëniet me disa banorë që kanë dalë nga shtëpia e BBV.
“Jam i bindur që ai ka një zemër të madhe, por për qëllimin e tij ai ka bërë lojën sikurse e ka menduar, edhe duke sharë e ofenduar, edhe duke bërë humor e batuta apo duke u martuar. Luizi është pretendenti kryesor për ta fituar atë Big Brother.
Unë e kam thënë dhe brenda, ia kam thënë dhe Luizit në sy, që unë e kam mbështetur pa interes në momentet më të vështira dhe s’ka asgjë nëse e mbështes edhe jashtë”, tha ai.
Vetë Maestro, shprehet se e arriti qëllimin që i kishte vënë vetes me pjesëmarrjen në reality show.
“Qëllimin që pata për të qenë pjesë e këtij formati e kam arritur. Të jesh pjesë e një formati ku të shohë pafund. Ka qenë vendi i duhur në kohën e duhur”.
Në fund, Maestro ftoi publikun në një koncert premierë në 4 maj në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Në bashkëpunim me Orkestrën e Ansamblit Popullor, Grupin Vokal dhe Grupin e Valleve të Ansamblit Popullor, bashkë me këngëtarët e mirënjohur të muzikës popullore, Ylli Baka dhe Era Rusi, Armaldo premton një natë të paharrueshme.