Panairi i Librit ka patur këtë të shtunë një vizitor të veçantë, shkrimtarin e njohur Ismail Kadare.
I shoqëruar nga bashkëshortja, Kadare gjithashtu këtë vit kremton dhe 7 dekada krijimtari.
I pyetur nga gazetarët, Kadare u shpreh se ndjehet i gëzuar që sheh gjithnjë lexues pranë tij, e veçanërisht lexuesin kosovar.
“Kjo më gëzon më së tepërmi kur i shoh këtu është populli im flasim të njëjtën gjuhë dhe ka qenë gjithmonë pjesë e imja.”
Ndonëse frika më e madhe për njeriun është vdekja për shkrimtarin kjo frikë mposhtet përmes veprave.
“Kur bën diçka që e di që nuk vdes, nuk ke frikë se ajo që quhet frikë është vdekja. Kur shkrimtari shkruan, ai çlirohet nga vdekja dhe kupton që jeta është e pafundme”.
Të shumtë ishin ata lexues që kërkuan autograf nga shkrimtari për librat e tij në një nga stendat e panairit.