Botuesi Bujar Hudhri ka treguar për raportet dhe bashkëpunimet që ka pasur me gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare. Hudhri ka zbuluar në emisionin “Open” në News24 edhe një detaj të pathënë më parë për shkrimtarin e ndjerë.
“Kur Kadare më ka dhënë librin e parë, unë i kam dhënë një honorar. U emocionua shumë, ishte një shumë e konsiderueshme. Fytyra e Kadaresë mori një ngjyrë të purpurt, kështu i bëhej kur emocionohej shumë. Më pas më foli për shpenzimet që i ishin shtuar etj, etj”, rrëfeu Hudhri.
Ai tha se për të demonstruar se kush është njeriu Ismail Kadare ka arritur që “për 15 vitesh ta ulja në një kafene (lokal) ku ai takohej me njerëz pafund, bënte fotografi, dhe mendoj se këto ishin ndoshta momentet më të bukura për jetën e Kadaresë në Tiranë”.
Duke folur për momentet më të vështira në marrëdhënien 30-vjeçare me Kadarenë, Hudhri tha se “para dy-tre vjetësh, kishte botuar një shkrim për 25 vjetorin e marrëdhënieve me shkrimtarin e madh, dhe isha në siklet. Titulli i shkrimit ishte “Terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe”. Ua sa titull i bukur qenka, më tha Kadare, dhe e lexoi të gjithë shkrimin”.
Botuesi tha se me Kadarenë kishte debate, përplasje, por që ndjehej rehat në atë gjallërinë e tij. Ai e konsideroi Kadarenë një gjeni, por gjithmonë pyeste “e, si tu duk. Ndoshta edhe për të provuar se si do të ishte reagimi”.
“Kadare punonte 90 minuta në ditë, aq ka punuar gjithë jetën”, tha Hudhri.
Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ku shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij është shtrirë edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.