Qentë presidencialë të Joe dhe Jill Biden janë larguar nga Shtëpia e Bardhë. Kjo erdhi pasi njëri prej pastorëve gjermanë, Major, kafshoi një agjent sigurie. Sipas mediave amerikane, ata u dërguan për në shtëpinë e familjes Biden në Wilmington të Delauer.
Që prej zhvendosjes, Major dhe Champ kanë pasur një sjellje mjaft agresive ndaj stafit të Shtëpisë së Bardhë. Çifti Biden e adoptoi Major në 2018-n, kur ai ishte 3 vjeç. Ai u bë qeni i parë i një qendre strehuese për kafshët që jetoi në godinën presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pastori tjetër gjerman, Champ, është 13 vjeç. Një burim tha për CNN, se Major ka pasur një sjellje hiperaktive duke vrapuar, lehur dhe ndjekur stafin e Shtëpisë së Bardhë dhe personelin e sigurisë. Të dy qentë u zhvendosën në godinën presidenciale vetëm 4 ditë pas inaugurimit të Joe Biden. Zonja e Parë, Jill, ka thënë për mediat amerikane se Major dhe Champ nuk ishin mësuar me kaq shumë njerëz dhe me kaq shumë vëmendje. Ndërkohë, njëri prej tyre i shkaktoi dhe një dëmtim në këmbë presidentit Biden, i cili u detyrua të mbante një protezë për disa javë.