Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër njoftoi për një rritje prej 45% të vizitueshmërisë në kalanë e Argjirosë.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër tha se vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në kala, e cila regjistron sërish një numër të lartë vizitorësh për periudhën janar-korrik 2024.
Kjo e bën Kalanë e Gjirokastrës, destinacionin turistik më të vizituar dhe pëlqyer prej turistëve nga gjithë bota në trevat shqiptare.
100.000 mijë vizitorë vendas e të huaj e kanë vizituar Kalanë e Argjirosë gjatë kësaj periudhe, thënë ndryshe, 31.000 vizitorë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kalaja e Gjirokastrës shtrihet në gjithë hapësirën e kodrës 336 metra të lartë, mbi të cilën u ndërtua gjatë viteve ‘300. Forca e historisë dhe legjendës së saj e kanë ruajtur ndër vite e, tashmë, ajo mbahet si një nga aktraksionet turistike më të vizituara të Shqipërisë.
E gdhendur në gur, kalaja quhet Argjiro, në nder të legjendës sipas të cilës princesha Argjiro u hodh nga lartësitë e kështjellës për të mos rënë në duart e armikut osman. E kështu, kalaja dëshmon betejën e popullit shqiptar për pavarësi ndër vite, një lufte e gjatë e me shumë pengesa. Këto faza të historisë shqiptare shquhen edhe në ndryshimet që ka parë kjo kala prej kohës së pushtimit osman, në fund të shekullit të 14-të, deri në fillim të viteve 1800 e deri në kohët e mbretit Zog. Sunduesi i Janinës, Ali Pashë Tepelena, mes punimeve rindërtuese la gjurmën e tij në ngritjen e Kullës së Sahatit, në lindje të kalasë. Ndërsa në vitet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kështjella u shndërrua në një vendstrehim ku banorët e qytetit mbroheshin nga bombardimet ajrore.
Në hyrje të kështjellës, gjendet galeria e topave dhe koleksioni i armëve të cilat janë mbledhur që nga lashtësia e deri në luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Kjo hapësirë ruan edhe memorien e trishtë të burgut të ndërtuar në vitin 1932 nga mbreti Zog dhe të përdorur nga të gjithë regjimet në vazhdim, duke përfshirë pushtuesit fashistë dhe nazistë e, gjithashtu, edhe regjimin komunist deri më 1968-ën. Ky burg u kthye në muze në vitet ’70.
Një nga kuriozitet moderne më interesante të kësaj kalaje, e ndoshta më pak të trishtë se burgu, është avioni amerikan dyvendësh, i cili u detyrua të ulej pranë Tiranës në vitin 1957. I konsideruar si avion spiun, kjo ngjarje u konsiderua si triumf i luftës së ftohtë, e për këtë arsye ky avion ekspozohet në kala prej vitit 1969. Një tjetër muze, galeria “Gjin Zenebishti”, tregon historinë e Gjirokastrës nga vendbanimet parahistorike e deri kur qyteti u bë qendra e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane.
Në dalje të kështjellës, oborri i fortifikuar dhe rrënojat janë një tjetër pamje për tu shijuar. Lugina e bukur e lumit Drin, era e fortë mbi fortesë dhe pamja madhështore e lagjes që mbështetet në shpatullat e Kështjellës e bëjnë të vështirë shkëputjen nga ky vend.