Përballjet e muajit nëntor do të jenë vendimtare për fatin e katër skuadrave në grupin B1 të Ligës së Kombeve.
Me 6 pikë në lojë gjithçka mund të ndodhë, me Republikën Çeke, Gjeorgjinë, Shqipërinë dhe Ukrainën që janë aty për të marrë maksimumin në 180 minutat e fundit.
Në letër askush nuk shihet i favorizuar, tablo që reflektohet nga rezultatet e katër ndeshjeve të para.
Kombëtarja e Sylvinhos ka grumbulluar 6 pikë në 4 ndeshjet e para, me dy fitore dhe po kaq humbje. Në favorin e kuqezinjtë do të jenë fakti që dy sfidat e mbetura do të luhen në “Air Albania” aty ku pritet një numër i lartë tifozësh.
Me 16 nëntor, kombëtarja jonë do të sfidojë kryesuesit aktual të grupit, Republikën Çeke. Përfaqësuese që në xhiron e parë të takimeve në Ligën e Kombeve pësuam humbje minimale 1-0. Këtë herë do synohet përsëritja e suksesit të një viti më parë, me shifrat e pastra 3-0.
Hendeku prej një pike zbehet në fushën e lojës, teksa rivaliteti për fitimin e grupit bëhet akoma dhe më i fortë.
Në krahun tjetër, Gjeorgjia e dyta me 6 pikë pret Ukrainën të fundit me 4 pikë. Rezultati i këtij 90 minutëshi pritet me mjaft interes në kampin kuqezi për të bërë më pas llogaritë e kualifikimit.
Akti i fundit i “Air Albania” do të zhvillohet mes kuqezinjve dhe Ukrainës. Rrugëtim që nisi pikërisht ndaj kësaj kombëtareje për Shqipërinë, që arriti të përmbys gjithçka në pjesën e parë për të marrë 3 pikëshin e parë në Ligën e Kombeve.
Shanset për ta mbyllur me 12 pikë janë reale për kombëtaren tonë, llogari që nëse përmbushen përkthehen në fitimin e grupit B1.
Objektiv që të ngjit një divizion më lart në Ligën e Kombeve, teksa të kualifikon në raundin play-off të Kupës së Botës 2026. Vendi i dytë të dërgon në play-off për tu ngjitur në Divizionin A, teksa pozicioni i tretë në play-out për të mos rënë në Divizionin C. Në këtë nivel të Ligës së Kombeve të dërgon vendi i katërt në grup.