Eksperti i Teknologjisë së Informacionit, Gent Progni, bashkë me 800 programues të tjerë IT, kanë kallëzuar dje në SPAK Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Padia ka të bëjë me hakerimin e të dhënave të qytetarëve shqiptarëve.
Sipas ekspertit është e dukshme që nuk ka pasur një segregim (izolim dhe ndarje) të serverëve, dhe kjo mund të jetë bërë që t’u jepet akses patronazhistëve në mbledhjen e të dhënave.
Lidhur me këtë kallëzim ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila thotë se “e mbështet aktin kurajoz të ekspertëve të IT-së dhe i bën thirrje SPAK të ketë të njëjtën kurajë qytetare dhe profesionale”.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Jola Hysaj, nga foltorja e selisë blu theksoi se hakerimi i sistemit ka nisur me vjedhjen e te dhënave te 20 milionë deklaratave tatimore nga hakerat e qeverise, publikimin e rrogave, organigramës së SHISH-it dhe targat e qytetarëve, si dhe te dhënat e 900 mijë qytetarëve. Të gjitha këto, tha Hysaj, kanë ndodhur para hakerimit të iranianëve.
“Publiku nuk duhet të harrojë se janë shpenzuar defakto rrethe 200 milionë euro per sigurinë e sistemeve dhe ato jane lënë pa asnje mbrojtje.
Për faktin e thjeshtë: paratë jane vjedhur me tendera sekretë.
Pa harruar këtu se denoncimi i vazhdueshëm i sistemit fatkeq dhe famëkeq të patronazhistëve, një zgjatje e mekanizmit komunist të spiunazhit dhe bullizimit të kundërshtarit politik, ka qenë lejtmotiv i Partisë Demokratike, por ka gjetur vesh të shurdhër te drejtësia.
Fakti që një ekspert i pavarur kërkon hetimin e asaj që ai konsideron si përdorje e infrastrukturës shtetërore për qëllime elektorale partiake, nga patronazhistet e përforcon drejtësinë e shqetësimit dhe mesazhit tonë dhe implikon sistemin e drejtësisë si bashkëpunëtor, të paktën në mosveprim.
Një reagim i drejtësisë, jo vetëm do zbulonte bashkëpunëtorët dhe nismëtarët e kësaj masakre elektronike, jo vetëm do mbyllte shtigjet për abuzime të tjera me privatësinë e qytetarëve shqiptarë, por çka është më kryesorja do të pengonte thellimin e rënies së pluralizmit në Shqipëri.
Kryeministri Rama e thekson vazhdimisht se është krenar me patronazhistët e PS. Kjo, jo vetëm inkurajon këta pelegrinë të së keqes, por i çon një sinjal drejtësisë, duke i thënë “mos m’i prek se janë të mitë!”.
Ka ardhur koha që SPAK të hetojë një prej skandaleve më të mëdha të qeverisjes Rama. Ka ardhur koha që përgjegjësit të identifikohen, dhe të mos fshihen pas emrit të përgjithshëm “patronazhistë”.
Ka ardhur koha që kryepatronazhisti t’i japë fund përdorimit të aseteve publike për qëllime partiake e personale”, deklaroi Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Jola Hysaj.