Kryetari i Këshillit të Emërimeve të Drejtësi, Ardian Dvorani, ka reaguar pas kallëzimit penal që i bëri Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Ai shprehet se presidenti ka adresuar akuza pa treguar asnjë kujdes elementar në përdorimin e gjuhës sikurse e kërkojnë jo vetëm normat elementare të etikës institucionale, por edhe ato ndaj edukatës qytetare.
Sipas Dvoranit “është bërë e vështirë të dallosh nëse sjelljet dhe deklarimet e tij bëhen nga shtetasi Ilir Meta apo Presidenti i Republikës, që sipas Kushtetutës dhe me dinjitet duhet të përfaqësojë unitetin e popullit”.
Ai vazhdon më tej duke theksuar se përfshihet në këtë histori për fushatën personale të Metës.
“Ndryshe nga Presidenti unë nuk mendoj se ai ka një status të veçantë dhe të privilegjuar për të thënë fjalën e fundit mbi interpretimin dhe zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Po kështu edhe bindjet dhe dëshirat e tij nuk ka se si të jenë detyruese për institucionet e tjera. Regjimi demokratik ku jetojmë ka ndarje pushtetesh, ka institucione kushtetuese të pavarura nga njëri tjetri, ka funksionarë shtetërorë që kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin kushtetues e ligjor të shprehen, të mbajnë qëndrime dhe të veprojnë vetëm sikurse ua kërkon detyra shtetërore. Ditën e sotme, për aq sa është e mundur të përcillet nëpërmjet medias, jam njohur me kallëzimin penal që Presidenti i Republikës ka paraqitur pranë organit të prokurorisë. Në fakt, ka ditë që në mungesë qetësie dhe me tone të larta e kërcënuese e paralajmëronte këtë nismë, e cila, në të vërtetë përbën një detyrim kushtetues dhe ligjor që ai, si kushdo tjetër, duhet ta përmbushë kur mendon se ka marrë dijeni për një vepër penale. Sikurse jam shprehur publikisht edhe më parë, unë si çdo shtetas, por edhe si çdo funksionar tjetër shtetëror, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim”, shprehet ai.
Dvorani thekson se do t’i bindet kërkesave dhe urdhrave të prokurorisë.
“Paraprakisht, për aq sa për momentin më rezulton nga media, mund të shprehem vetëm se ky kallzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai. Nga ana tjetër, për momentin, parashtroj publikisht se, edhe vetë sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit. Por akoma më serioze është fakti që vetë ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme të Presidentit, bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit, më konkretisht të kuptimit të radhës së plotësimit të vakancave, afatit brenda të cilit detyrimisht ushtrohet e drejta e zgjedhjes, detyrimit për të respektuar normën kushtetuese të përzgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm ndërmjet tre kandidatëve të renditur nga KED, si edhe parashikimin urdhërues e të drejtpërdrejtë të Kushtetutës që, kur edhe Presidenti nuk e ushtron kompetencën e tij brenda afatit 30 ditor apo vlerëson mos ta ushtrojë atë, kandidati i renditur i pari nga KED është, ex legge, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese”.