70-vjeçari Glynn Simmons është një shtetas në SHBA i cili kreu 48 vite burg padrejtësisht dhe më pas u shpall i pafajshëm.
Simmons u lirua nga burgu në korrik të vitit 2023. Në dhjetor ai u shpall i pafajshëm për vrasjen e Carolyn Sue Rogers në 1974. Ai është dënimi i gabuar më i gjatë i njohur në SHBA.
Sipas BBC, Simmons hodhi një vështrim të gjatë nga dritarja e sediljes së pasagjerit të makinës, ndërsa po udhëtonte me një shok përgjatë autostradës për në Tulsa, Oklahoma. Vështrimi i tij ishte fiksuar në qiellin e natës, të ndriçuar me yje.
Ishte një pamje që 70-vjeçari nuk kishte mundur shikonte për gati gjysmë shekulli, pasi kaloi pjesën më të madhe të jetës në burg për një vrasje që nuk e kishte kryer.
“Janë gjëra të tilla… të shikosh ndryshimin e stinëve, gjethin, gjëra të thjeshta që nuk mund t’i bësh në burg. Nuk mund të kënaqeshe. Nuk mund ta shikoje,” tha Simmons për BBC. “Është emocionuese.”
Lirimi i tij erdhi pasi një gjykatë e qarkut zbuloi se prokurorët nuk ia kishin dorëzuar të gjitha provat avokatëve mbrojtës, duke përfshirë se një dëshmitar kishte identifikuar të dyshuar të tjerë.
Simmons ishte 22 vjeç kur ai dhe një i bashkëpandehur, Don Roberts, u dënuan me vdekje në 1975, një dënim që më vonë u reduktua në burgim të përjetshëm.
“Të jesh i pafajshëm, të ndihmon të ruash besimin,” tha ai mes të tjerash në intervistë, duke shtuar se aktualisht po lufton me kancerin në fazën e 4 të sëmundjes vdekjeprurëse.
“Sapo kisha mbushur 21 vjeç. Nuk kisha përvojë të mëparshme me sistemin e drejtësisë penale,” tha Simmons.
“Nuk e dija se kisha të drejtë për një avokat, të drejtë për të refuzuar. Nuk kisha asnjë ide”, tha ai më tej.
Që kur doli nga burgu dhe u shpall i pafajshëm, Simmons ka përjetuar një vorbull emocionesh, që sipas tij, më e fuqishmja është mirënjohja.
Ai i kaloi Krishtlindjet me të birin, tre nipërit dhe shtatë stërnipërit e tij dhe shtoi se donte të kalonte më shumë kohë me ta.