Çështja për kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari, ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Ai do të gjykohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar, që do të thotë se nëse shpallet fajtor do të përfitojë ulje me 1/3 e dënimit.
SPAK i mbylli hetimet dhe dorëzoi në gjykatë kërkesën për ta marrë Hajdarin të pandehur në dhjetor të vitit që lamë pas.
Kryebashkiaku i Kuçovës akuzohet për falsifikim të formularëve të dekriminalizimit, pasi referuar hetimeve nuk ka deklaruar në dy raste një dënim në shtetin grek.
SPAK thotë se autoritetet greke kanë konfirmuar se Hajdari është dënuar me masë riedukuese nga Gjykata e Janinës për kalim të paligjshëm të kufirit. Hajdari ka mohuar më herët akuzat duke pretenduar se nuk ka dijeni.