Dosja ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro ka kaluar për gjykim. Goro dhe mbrojtja e tij kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Dosja ndaj Jorgo Goros dhe 4 personave të tjerë lidhet me dy raste tjetërsimi pronash në jug të vendit. Goro është marrë i pandehur për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “fshehjes së pasurisë”.
Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku së bashku me Jerasimo Bashin, ish-Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki kanë ndërmarrë veprime të kundraligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona.
Në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë. Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.
Gjatë hetimeve të SPAK, dyshohet se Jorgo Goro të ketë fshehur një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 81 metra katrorë. Për këtë pasuri, organi i akuzës dyshon se Goro e ka regjistruar në emër të një personi tjetër, por që posedohet nga ish-kryebashkakiu.
Krahas Jorgo Goros dhe Jerasimo Bashit në akuzë janë dhe pronari i pronës së bashku me dy ish-zyrtarë të tjerë. Për këta të fundit, SPAK ka ngritur dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën, ndërsa për pronarin përfitues rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve.
Hetimet e SPAK për këtë çështje u inciuan pas kallëzimit penal, të bërë nga Fredi Beleri. Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme dyshon se Goro ka abuzuar me detyrën edhe në një rast tjetër duke e rënduar edhe më shumë pozitën e tij në përballjen me drejtësinë. Vetë Goro i ka mohuar akuzat.