Lulzim Basha deklaroi se Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit do të jetë për shqiptarët dhe jo për hallet personale të askujt.
Në intervistën për Euronews Albania lideri i opozitëd tha se deklaratat e Berishës që e cilësojnë atë si “Shoqata Basha-Bardhi” janë për sensacion në media e nuk i shërbejnë demokratëve.
“18 Dhjetori nuk bëhet as për hallet dhe as për batutat e Sali Berishës, Edi Ramës apo kujtdo tjetër, bëhet për hallet e shqiptarëve. Dhe në këtë kuadër demokratët më 18 Dhjetor do të përshfaqen si e vetmja shpresë, si një bashkim i jashtëzakonshëm vullnetesh rreth të cilëve shqiptarët kanë drejtimin, udhëheqjen për të dalë nga kjo krizë e tmerrshme,” – deklaroi Basha.
Ai u shpreh se me Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike synohet një qeveri që nuk buron nga bashkëpunimi i politikës me krimin dhe oligarkinë.
Basha pret të vizitojë SHBA: Kam marrë ftesa për diskutime të rëndësishme
Lulzim Basha deklaroi se ka marrë ftesa zyrtare për të vizituar SHBA-në dhe pret diskutime për çështje të rëndësishme.
“Padiskutim pres të diskutoj çështje të rëndësishme për ardhmen e Shqipërisë, të kombit shqiptar dhe të ardhmes të rajonit, në një kohë plot sfida nga aktorë që nuk ndajnë agjendën tonë të përbashkët shqiptaro-amerikane, apo agjendën euroatlantike,” – deklaroi kryedemokrati.
Sipas tij SHBA është në dijeninë e mbështetjes nga Partia Demokratike, jo vetëm prej kontributit të dyanshëm në procese historike si futja në NATO apo Pavarësia e Kosovës, por edhe për shkak të vizionit të ngjashëm sa i takon Ballkanit të orientuar nga Perëndimi.
Basha nënvizoi se Ballkani i orientuar nga Perëndimi deri tani është lobuar vetëm me fjalë dhe shfaqje, por jo me vepra që për kryetarin e PD-së përfshijnë tregje të lira, zgjedhje të lira, media të lira e qytetarë të lirë.