Filantropi amerikan George Soros është një nga njerëzit më të pasur të botës dhe me ndikim të madh në shumë shtete. Soros ka raporte edhe me Kryeministrin Edi Rama, dhe jo të pakta kanë qenë akuzat dhe teoritë që Rama është ndihmuar politikisht nga fondacionet e Sorosit.
Për marrëdhënien e tij me George Soros, Edi Rama ka folur për emisionin Opinion në Tv Klan. Kryeministri ka rrëfyer takimin e parë dhe si i ka raportet me Soros.
Blendi Fevziu: George Soros, çfarë raporti ka pasur me ju? Është folur që keni qenë i shenjuari i tij, është folur që ka qenë sponsori i juaj kryesor politik. Është folur që i është dashur Shqipëria për politika… Por unë po të pyes vetëm për raportin tuaj personal. Kur e keni njohur dhe si ka qenë raporti juaj me George Soros?
Edi Rama: Unë George Soros e kam njohur në vitet ’90, kur nuk isha në politikë, kur më kanë futur në bordin e Fondacionit këtu. Ka qenë dhe Ismail Kadare, Profesor Minga, kanë qenë disa… Dhe kemi shkuar në Budapest. Aty e kam takuar George Soros për herë të parë. U organizua një si drekë pune për t’u prezantuar me bordin e fondacionit. Ishte e bukur se ai ishte në botën e tij dhe ndërkohë që hante, dëgjonte dhe të gjithë po i prezantoheshim. Ai ndiqte zërin, por vazhdonte me të vetën. Kur erdhi radha ime, unë s’fola fare dhe u bë qetësi. Dhe ai ma bëri me kokë. Edhe unë i bëra një pantomimë, çfarë ke? Po ti, më tha mua. Unë çfarë i thashë? Kush je? Unë jam filani. Me çfarë merresh? Merrem me art. Çfarë lloji arti bën? Llojin më të mirë, i thashë. E pa që u bë një ndërveprim, dhe vazhdoi me të tjerët. Kur erdhi këtu herën e dytë, Ismailin e njihte ai, tha përveç këtij a mund të prezantoheni dhe njëherë se nuk më kujtoheni.
Blendi Fevziu: Çfarë raporti keni pasur me të?
Edi Rama: Kam raport fantastik me të. Kam pasur gjithmonë një raport fantastik me të. Nuk ka lidhje fare me këto konspiracionet.
Blendi Fevziu: Ju ka ndihmuar në politikë?
Edi Rama: Sorosi është një personazh i jashtëzakonshëm, është një njeri që bëri një sukses të hatashëm, përmbysi botën me ato goditjet që i bëri bursave. Në momentin që u bë George Sorosi i njohur në të gjithë botën, dhe që zotëronte një pasuri marramendëse, pasurinë e vetë e vuri në dispozicion të idesë së vet, shoqërisë së hapur. Ai është marrë me filozofi dhe ka atë idenë e shoqërisë së hapur dhe është një njeri që ka financuar pafund për të ndihmuar shoqërinë e hapur, për të stimuluar njerëz në shoqërinë civile. Këto teoritë e tjera të konspiracionit janë…
Blendi Fevziu: Vazhdoni ta ruani raportin?
Edi Rama: Gjithmonë, por sigurisht nuk takohemi shpesh, takohemi rrallë. Ai tani është në një moshë që…