Kryesore “Kam të metat e mia”/ Basha kopjon sërish Trumpin: Shqiptarët të parët

“Kam të metat e mia”/ Basha kopjon sërish Trumpin: Shqiptarët të parët

Kryetari i PD Lulzim Basha ka hedhur në faqen zyrtare në Facebook një spot që është pjesë e një fushate të re ‘publicitare’ që kur komunikimin e tij publik e mori përsipër një firmë izraelite me asistencën e disa agjentëve lokalë.

Hashtagu i spotit të ri është #PotëDëgjoj, por ajo që duket e njohur është fraza “shqiptarët të parët”, që është kopjuar nga fushata për president e Donald Trump “Amerika e para” (America first).

Nuk është imitimi i parë që Basha i bën Presidentit amerikan, sepse gjatë kohës së “Çadrës” ai krijoi logon MAGA që ishte përsëritje e përpiktë e sloganit të Trump ‘Make America Great Again’.

Në videon e re të spotit, Basha shfaqet duke takuar apo ecur me njerëz të brezave apo profesioneve të ndryshëm, pjesë e tureve që ai ka bërë nëpër Shqipëri. Basha pranon gjatë këtij spoti se ka “bërë edhe gabime”, një taktikë e njohur në komunikimin politik për t’u shfaqur para publikut si “i penduar”.

“Shqiptarët meritojnë të dëgjohen me vëmendje dhe të trajtohen me dinjitet”, shkruan lideri demokrat.

Basha shprehet se çdokush ka të metat e tij dhe se ka bërë gabime në të shkuarën. Por, ai zotohet se do t’ju shërbejë shqiptarëve dhe do i vendosë gjithmonë të parët.

“Kudo që shkoj me këdo që flas, njerëzit kërkojnë të njëjtat gjëra: mundësi, punësim, shëndetësi dhe arsim të denjë, zbatim të ligjit, një qeveri që kujdeset për ta, një qeveri që i dëgjon. Si çdokush dhe unë kam të metat e mia dhe e di shumë mirë se kam bërë edhe gabime në të kaluarën por një gjë ua premtoj të gjithë shqiptarëve, se gjithmonë do ju dëgjoj, gjithmonë do t’ju shërbej dhe se gjithmonë do t’ju vë ju të parët”, thotë Basha.