Në debatin 90 minutësh, Kamala Harris e tronditi herë pas ish-presidentin Donald Trump, duke e detyruar atë në mbrojtje, që nga numri i mbështetësve nëpër tubimet e tij elektorale, te sjellja gjatë sulmit të 6 janarit në Kapitol, e deri tek zyrtarët që shërbyen në administratën e tij e që tashmë janë shndërruar në kritikë të fushatës së kandidatit republikan.
Nëse debatet do të fitoheshin apo humbeshin duke parë se cili kandidat shfrytëzon çështje që janë të rëndësishme për votuesit dhe mbron apo i shmanget fushave ku ka dobësi, atëherë në debatin e mbrëmjes të së martës, fitorja anoi më shumë drejt kandidates demokrate.
Herë pas here, Harris e vuri Trumpin në mbrojtje, me një sërë goditjesh dhe sharjesh që ai u ndje i detyruar t’i adresonte. Ajo e quajti atë të dobët. Ajo tha se liderët e huaj po qeshnin me të. Ajo tha se njerëzit u larguan herët nga tubimet e tij nga “lodhja dhe mërzia”.
Harris hyri në këtë debat me dobësi të qarta në mendjet e shumë amerikanëve, për tema si inflacioni, emigracioni dhe tërheqja nga Afganistani. Në pjesën më të madhe, Trump nuk ishte në gjendje t’i kundërpërgjigjej me retorikën e tij ofensive dhe në ditët në vijim mund të pendohet për mundësinë e humbur.