Politikani shqiptar në Luginë të Preshevës, Shaip Kamberi, kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, komuna në jug të Serbisë, që njihen me termin Lugina e Preshevës.
Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, tha se këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të, siç tha, pasivizimit të adresave të shqiptarëve.
Prandaj, ai tha se zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar.
Politikanët shqiptarë në Luginën e Preshevës kanë deklaruar edhe më herët se rreth 6,000 qytetarë të komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk kanë mundur të votojnë pasi u janë pasivizuar adresat.
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi më 2021 tha se Serbia, në mënyrë që të ulë sa më shumë që të mundet numrin e shqiptarëve që jetojnë në jug të shtetit, po kryen një proces të quajtur “pasivizimi i banorëve shqiptarë” që jetojnë jashtë Serbisë, qoftë në Evropën Perëndimore apo në Kosovë.
Sipas Komitetit të Helsinkit, kur adresa e banimit pasivizohet dhe hiqet nga libri amëz në Serbi, ai person praktikisht pushon së ekzistuari. Ata nuk mund të rinovojnë letërnjoftimin ose pasaportën e skaduar, të blejnë ose shesin prona, ose të votojnë.
Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, që përbëhet nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9,644. Shaip Kamberi tha se këto vota ende nuk garantojnë se shqiptarët kanë fituar një mandat në Parlamentin e ri serb.
Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13,000 vota.