Në futboll, dy skuadra mund të mburren me titullin e kampionit të botës: Franca, e cila fitoi Kupën e Botës 2018 në Rusi, dhe Liverpool, i cili së fundmi fitoi kampionatin botëror të klubeve në Katar. Por, në ekipin e Klopp, nuk ka asnjë francez në përbërje. Nga ana tjetër në ekipin liverpulas nuk mungojnë holandezët, brazilianët apo edhe yjet që vijnë nga Afrika.
Për të shpjeguar arsyen e kësaj embargo të çuditshme … ka folur vetë trajneri i Reds. I pyetur nga gazetarët e “Canal +” në lidhje me mundësinë e transferimit të Kylian Mbappé te Liverpool, Klopp ka sqaruar se arsyeja e këtij vendimi është thjesht ekonomike.
“Nuk ka asnjë arsye të veçantë pse nuk kemi asnjë francez. Kylian luan për Paris Saint-Germain, ndërsa Griezmann dëshironte të transferohej te Barcelona dhe të gjithë e dimë se po flasim për dy ekipe të mëdha. Ne do të donim të kishim disa francezë në skuadër, por arsyeja është se disa prej tyre kushtojnë shumë!“. Në fakt, duke parë vlerat e tregut në Transfermarkt, Klopp ka të drejtë.