Partizani ka fituar derbin ndoshta më të bukur të historisë, duke qenë se është rikthyer kampion pas 26 vitesh.
“Të kuqtë” triumfuan 2-1 ndaj Tiranës, duke siguruar edhe matematikisht shpalljen kampion për këtë sezon, 3 javë nga fundi i kampionatit.
Autor i dy golave të Partizanit në këtë derbi ishte shkodrani Cinari, i cili realizoi në minutën e 30 të pjesës së parë, ndërsa 10 minuta më pas barazoi Greca. Por Cinari shënoi edhe golin e fitores, i cili shpalli kampion Partizanin pas 26 vitesh në minutën e 72.
Në anën tjetër, kjo humbje vështirëson pozitën e Tiranës në luftën e saj për mbijetesë, duke qenë se 3 javë para fundit është në kuotën e 40 pikëve, dy më shumë se Kastrioti i vendit të 9-të.
Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, Kastrioti fitoi 2-0 ndaj Flamurtarit, Luftëtari mposhti 3-2 Kukësin, ndërsa Skënderbeu u mund në Korçë 1-2 nga Teuta.