Sport Kampionati gjerman mbush 60 vjeç, si lindi Bundesliga pa Bajernin

Kampionati gjerman mbush 60 vjeç, si lindi Bundesliga pa Bajernin

Gjermanëve nuk u pëlqen aspak të humbasin. Pas Botërorit të 1962-shit në Kili, ku Gjermania u eliminua nga Jugosllavia në çerekfinale, më 28 korrik 1962 ndryshoi historia. Atë ditë, 60 vjet më parë, në Dortmund lindi Bundesliga.

Ishte një vendim i diktuar nga nevoja për të pasur një kampionat profesionist në një grup të vetëm. Rregulla të hekurta, natyrisht, nuk mund të imagjinohet ndryshe.

U hodhën bazat, sepse deri atë herë kampionati nuk ishte në një grup të vetëm, por i ndarë në faza të ndryshme. Kampionatet rajonale dhe finalet kombëtare ua lanë vendin 16 skuadrave të zgjedhura në bazë të kritereve historike, rezultateve, si dhe kritereve gjeografike.

Bundesliga filloi pastaj në gusht të 1963-shit. Kampionati i parë në një grup të vetëm la jashtë Bajernin e Mynihut. Rregullorja parashikonte praninë e një skuadre për çdo qytet dhe si klub më i vjetër, u zgjodh Mynih 1860.

Bajerni gjithsesi gjeti kohën dhe mënyrën për t’u futur. Dhe sapo hyri në skenë, në sezonin 1964/1965, gjithmonë ka ‘recituar’ si aktor protagonist, duke çuar në shtëpi thuajse gjysmën e titujve.

Bundesliga që atëherë ka ruajtur gjithmonë një lloj gjendjeje elitare. Janë 56 skuadrat që kanë marrë pjesë në 60 kampionate të Bundesligës. Prej sezonit 2018-19, pas rënies së Hamburgut, nuk ka më asnjë skuadër që të ketë marrë pjesë në të gjitha edicionet.

Dhe rënia e bujshme e Verderit lejoi rekordin e radhës për Bajernin. Në sezonin 2021-2022 bavarezët barazuan Verderin në klasifikimin special të traditës. Bajerni përfaqëson skuadrën me më shumë pjesëmarrje në nivelin më të lartë të futbollit gjerman. Verderi rikthehet sezonin e ri në Bundesligë.