Kanadaja është shteti i parë që ka pranuar ofertën amerikane për të mirëpritur në territorin e saj deri në 20,000 refugjatë afganë, ndër ta gra që kanë luajtur role publike, punonjës të strukturave qeveritare dhe të tjerë që ndeshen me rrezik përballë talebanëve, ndërkohë që ky grup ekstremist zgjeron territorin në vend. Avioni i parë me azilkërkues afgane mbërriti të premten në Toronto.
“Situata në Afganistan është shumë e dhimbshme dhe Kanadaja nuk do të bëjë sehir,” deklaroi Ministri i Imigracionit, Marco Mendicino. Kanadaja, Spanja, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia po tërheqin personelin e tyre diplomatik nga Kabuli.
Vendimi i marrë me ngut për të dërguar 3,000 marinsa në Afganistan për të ndihmuar me evakuimin e personelit diplomatik ka vënë në pikëpyetje përmbushjen e synimit të Presidentit Biden për tërheqje të plotë brenda 31 Gushtit.
Talebanët, të cilët kanë marrë zemër nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani, arritën të marrin nën kontroll katër qytete ndër to edhe Kandaharin, ndërsa po i drejtohen kryeqytetit Kabul ku jetojnë miliona afganë. Ndërkaq Britania po dërgon 600 trupa në Afganistan për një operacion të shkurtër në ndihmë të nxjerrjes së shtetasve britanikë nga ky vend.