Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz është shprehur kundër pranimit të më shumë refugjatëve afganë nga vendi i tij.
“Kemi pranuar më shumë se 40 mijë afganë në Austri gjatë viteve të fundit. Jemi një nga vendet me komunitetin më të madh afgan”, u shpreh kancelari austriak në një intervistë televizive të dielën, teksa shtoi se Austria e ka dhënë kontributin e vet në këtë drejtim.
Përmes një postimi në Twitter Kurz shtoi se ende ka probleme me integrimin e tyre, ndaj është kundër pranimit të emigrantëve të tjerë në vazhdim.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur shumë vende euriopiane janë angazhuar në evakuimin dhe pritjen e shtetasve afganë që kanë punuar me ambasadat apo vullnetarë të tjerë në Afganistan.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nxiti vendet e Bashkimit Europian të strehonin civilë afganë, duke e cilësuar këtë një detyrë morale për ndihmë.
Por shumë vende europiane kanë shprehur shqetësimin se situata në Afganistan do të shkaktojë një krizë të ngjashme me 2015, kur më shumë se 1 milion emigrantë zbarkuan në Europë, pas luftës civile në Siri.