Angela Merkel vazhdon të mbajë të mbërthyer postin e kancelares së Gjermanisë, dhe kjo dukej e padiskutueshme edhe përpara zgjedhjeve. Arsyeja përse, duhet kërkuar përtej partisë së saj.
Ajo ka pas vetes të gjelbrit, që pavarësisht se duhej të ishin kundërshtarë të natyrshëm të konservatorëve e mbështesin kancelaren të palëkundur. Merkel u ka dhënë atë që donin, shkëputjen nga energjia bërthamore dhe hapjen e dyerve për refugjatët dhe azilkërkuesit.
Pozitiv ndaj saj është edhe Sigmar Gabriel, ish kryetar i socialdemokratëve, ministër i jashtëm, partia e të cilit është dënuar në mënyrë të qëndrueshme sepse në rolin e partnerit të dytë në koalicion u zvogëlua gjithnjë e më shumë.
Në mandatin e katërt të saj, vetë gjermanët, duken të pangopur me të. Sondazhet jepnin shifra që e vendosnin Merkelin në krye dhe zgjedhjet dukeshin të paracaktuara, pavarësisht se flitej për një mandat të katërt. Madje, 20-vjeçarët gjermanë nuk munden as të kujtojnë se ka pasur një kohë edhe pa Angela Merkelin.
Në 1994, edhe Helmut Kohl kërkonte mandatin e katërt dhe ia doli, pavarësisht se katër vitet e fundit, ishin dukshëm preludi i tij…njerëzit ishin ngopur…Edhe Konrad Adenauer në 1961, kishte nisur mandatin e katërt, por arriti ta çonte atë deri në gjysmë.
Çfarë mund të ndodhë me Merkel…?
Askush nuk e di këtë…por dihet se ajo u mendua gjatë për të kandiduar sërish. Vera e vitit 2015, ishte një pikë kthese për të, kjo për shkak të rreth 1 milionë refugjatëve që erdhën në vend dhe gati i kushtuan asaj postin…Por, ajo sërish prevaloi duke u paraqitur si një grua kurajoze, në thuajse të gjitha fushat e tjera të shoqërisë dhe politikës.
Trazirat jashtë Gjermanisë, Trump, Brexit, kriza në BE, populizmi i djathtë, Putin, Erdogan, ishin faktorë që e bindën atë të kandidonte sërish. Merkel, shihet si një injeksion qetësie në kohë të trazuara.
Kjo qetësi, ndjenja e sigurisë dhe perspektiva e vazhdimësisë, duket se janë faktorët që kanë bindur gjermanët, të mos i kthejnë krahët asaj. Angela Merkel ka qëndruar në detyrë për 12 vjet. Fati i saj politik është ngritur, shembur e ngritur sërish.
Por, popullariteti i saj, asnjëherë nuk ka rënë nën 46 për qind dhe kjo është pjesërisht aftësi, e pjesërisht fat.