Kancelarja gjermane Angela Merkel ka nisur vizitën e saj zyrtare në kryeqytetin e shqiptar. Ajo ka mbërritur në Pallatin e Brigadave ku u prit nga Kryeministri Edi Rama, me të cilin do të ketë një takim kokë më kokë. Pas kësaj do të marrë pjesë në takimin mes dy delegacioneve.
-Kancelarja Merkel u prit në Aeroportin e Rinasit nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.
“Nder dhe kënaqësi t’i uroja mirëseardhjen Kancelares Gjermane, Angela Merkel, e cila mbërriti në Tiranë për takime të rëndësishme me Kryeministrin Edi Rama dhe liderët e rajonit. Mirënjohje për mbështetjen e saj për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë”, shkruajti Xhaçka në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja Xhaçka shoqërohej nga ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko dhe ai i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf.
Axhenda
Pjesë e axhendës është edhe takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, me praninë e kryeministrave të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Vizita 6 orëshe në Tiranë do të mbyllet me konferencë për shtyp të Kancelares dhe Kryeministrit Rama në orën 14:30.
Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe procesi i Berlinit, i nisur 7 vjet më parë me iniciativën e Kancelares.
Vizita vjen 2 javë para zgjedhjeve në Gjermani. Policia e Shtetit ka njoftuar se për shkak të kësaj vizite do të ketë kufizim të lëvizjes në disa akse rrugore.