Pothuajse 9 muaj në presidencën e tij, Joe Biden ende nuk ka emëruar një ambasador në Korenë e Jugut, pavarësisht rëndësisë që ka posti për marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësisë që ka Seuli si një aleat i fuqishëm në gjeopolitikën e Azisë Lindore.
E teksa vendi mbetet ende bosh, një nga emrat e përmendur si kandidate për ambasadore në Seul është edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.
Sipas The Korea Times, Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që u bë ambasadore e SHBA-së, dhe kandidatura e saj shihet më e plotësuar, duke marrë parasysh ekspertizën e saj në çështjet e Azisë Lindore. Edhe më parë Kim ka punuar si Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.
Sipas Shoqatës Amerikane të Shërbimit të Jashtëm, 95 nga 189 pozicione ishin vakante që nga 4 nëntori. Ndërsa vetëm 7 nga të emëruarit janë konfirmuar nga Biden që kur ai mori detyrën. Emrat e 63 të tjerëve qëndrojnë të bllokuar në Senat.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump emëroi Yuri Kim ambasadore në Shqipëri më 28 qershor 2019. Kim mbërriti në Shqipëri si ambasadore e SHBA-së në janar 2020.
Më herët Kim ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Evropës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe rajonin Mesdheut Lindor. Ajo ka mbuluar NATO-n si dhe zyrën e OSBE.