Aktualitet Kandidati fitues te Fakulteti i Historisë, letër Ramës dhe Nikollës: Po tentojnë...

Kandidati fitues te Fakulteti i Historisë, letër Ramës dhe Nikollës: Po tentojnë të ndryshojnë rezultatin

Sabri Laçi, profesor në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, i cili ishte kandidat për postin e dekanit të fakultetit dhe u shpall fitues pas përmbylljes së numërimit të votave nga Komisioni i Zgjedhjeve në FHF, i ka drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres Lindita Nikolla një letër.

Ai ka ngritur shqetësimin e tij në lidhje se me çfarë mund të ndodhë.

“Bëra një garë të ndershme i bindur se institucionet që garantojnë zgjedhjet do të ishin garanci për ruajtjen e standardeve të zgjedhjeve. Fatkeqësisht këto institucione nuk e bënë një gjë të tillë”,shkruan ai.

Letra

Letër drejtuar Ministres së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë

Znj. Lindita Nikolla

Për dijeni zotit Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

E nderuar Zonja Ministre,

Unë që po ju shkruaj jam Sabri Laçi, profesor në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, kandidat për postin e dekanit të fakultetit, i shpallur fitues pas përmbylljes së numërimit të votave nga KZF (Komisioni i Zgjedhjeve në FHF).

Po Ju drejtohem për t’ju vënë në dijeni të disa ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur gjatë këtij procesi, të cilat mendoj se kanë rëndësi jo vetëm për fakultetin tonë, por për gjithë sistemin universitar.

Kur vendosa të futem në garë, mendova se po hyj në një proces të ndershëm zgjedhor universitar, i bindur se pedagogët dhe studentët meritojnë standarde zgjedhore të larta dhe një proces që do të ndikonte pozitivisht në të ardhmen e institucionet tonë arsimor. Bëra një garë të ndershme i bindur se institucionet që garantojnë zgjedhjet do të ishin garanci për ruajtjen e standardeve të zgjedhjeve.

Fatkeqësisht këto institucione nuk e bënë një gjë të tillë. Si KZF ashtu edhe KIZ (Komisioni Institucional zgjedhor) u përfshinë në tentativën për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve që pa nisur procesi. KIZ përjashtoi në mënyrë arbitrare në kundërshtim me ligjin një pedagog, personel akademik me kohë të plotë nga pjesëmarrja në zgjedhje. Gjatë zgjedhjeve përfaqësues të KIZ u kanë bërë presione studentëve që të mos marrin pjesë në zgjedhje, duke krijuar tension. Ndërkohë, që me fillimin e procesit u verifikua se KZF u ka dhënë pedagogëve fletë studentësh për të votuar, duke i shpallur më pas vota të tilla si të pavlefshme. I njëjti komision largoi në kundërshtim me ligjin vëzhguesit nga procedura e numërimit të votave dhe më pas, kur e panë që rezultati ishte në favorin tim, bllokuan procesin, i cili u zhbllokua pas angazhimit të përfaqësuesve të Forumit për Autonominë Universitare dhe Liritë Akadamike, të cilët e gdhinë natën në fakultet në mbrotje të votës së kolegëve dhe studentëve.

Pasi dështoi tentativa për manipulimin e procesit zgjedhor në KZF, KIZ si gjithnjë konseguente në përjekjet për deformimin e procesit zgjedhor, është mbledhur pa dijeninë e kandidatëve dhe të përfaqësuesve të tyre si vëzhgues dhe po tenton të vejë në diskutim mandatin, fillimisht përmes rinumërimit, i cili ka konfirmuar saktësisht kandidatin fitues. Tani po kërkojnë të venë në diskutim formulën e llogaritjes së votave të studentëve, e cila është përcaktuar saktësisht në Rregulloren e Zgjedhjeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, e zbatuar në zgjedhjet e mëparshme.

E nderuara ministre. Duke besuar plotësisht në ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë Tuaj në garantimin e votës së lirë të pedagogëve dhe studentëve, Ju lutem ndërhyni që të paktën në univeristet të mos përhapet dukuria e shkatërrimit të procesit zgjedhor.

Me konsideratën më të lartë

Prof. Dr. Sabri Laçi