Kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla, ka fituar zgjedhjet në Rrogozhinë. Kandidati socialist ka fituar rreth 57.6% të votave. Kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha, ka marrë 42.4% të votave.
Pas numërimit edhe të kutisë së fundit, Memolla u shpreh shumë i lumtur për fitoren. Në këto dy muaj, ai u shpreh se pati mundësi të rikuperonte rezultatin dhe të kërkonte ndjesë për gabimet që u bënë në zgjedhjet e 14 Majit.
“Ndihem shumë i lumtur. I jam mirënjohës të gjithë popullit të Rrogozhinës që më mbështeti masivisht këtë radhë të majtë apo të djathtë. Jam shumë mirënjohës pasi këto dy muaj kemi pasur mbështetje masive që në 14 Maj nuk e kishim. Gjatë kësaj kohe kishim mundësi që të rikuperonim dhe të kërkonim ndjesë në ato gabime që u bë dhe rezultati tregoi që ia dolëm dhe gjetëm pikat e dobëta që kishim”, tha Memolla.
Sipas tij, qytetarët e kanë votuar për shkak të programit.
“Kjo tregon që programi jonë ka qenë më i mirë se programi i kandidatit tjetër dhe gjatë kësaj kohe ka qenë një fushatë shtëpi më shtëpi dhe me gjithë njerëzit në terren. Ka qenë kjo gjë që na ka ndikuar dhe na kanë mbështetur. Kanë qenë dy muaj punë intensive shtëpi më shtëpi, duke iu kërkuar dorën e bashkëpunimit për t’ia kthyer në punë si në bujqësi dhe turizëm që pretendojmë ta kthejmë Rrogozhinën gjatë këtyre 4 viteve. Zotimi më i madh është kthimi i qytetit të Rrogozhinës elitar në turizëm dhe ta ngrejmë lart bujqësinë në nivele të larta në bashkinë tonë”, tha Memolla.