Prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, njëherësh edhe kandidat për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, i është nënshtruar sot procesit të rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Në lidhje me kriterin e pasurisë nuk është gjetur asnjë shkelje, sipas KPK. Çela ka bërë deklarim të saktë, ka burime të ligjshme dhe nuk ka konflikt interesi. Ai rezulton se ka qenë pronar i një apartamenti 77 m2 në zonën e “Don Bosko”-s, blerë për 78 mijë euro në vitin 2015, të cilin e ka shitur në vitin 2018 për 85800 euro.
Nuk është konstatuar asnjë problematikë në lidhje me këtë pasuri dhe as burimet e deklaruara nga mamaja e Çelës, e cila ka pasur mundësi të realizojë kursimet e deklaruara, nga të ardhurat që ka përfituar ndër vite. Pa probleme kanë rezultuar edhe dy hua të marra nga Çela, te tezja e tij dhe te një person tjetër.
Për sa i përket figurës, DSIK ka realizuar një raport pozitiv. Nuk ka kontakte të papërshtatshme me elemente të krimit të organizuar dhe konfirmohet si i përshtatshëm për vijimin e detyrës. Për vlerësimin profesional, ka pasur raport pozitiv nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nga 5 dosjet e përzgjedhura me short, në 4 prej tyre nuk ka asnjë problematikë, ndërsa për dosjen tjetër i ka kërkuar shpjegime për mosfillimin e procedimit penal, pasi duket se nuk janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.