4 gra u shtypën për vdekje nga turma në aeroportin e Kabulit gjatë ditës së shtunë, në një kohë kur mundësitë për evakuimin e civilëve vendas po ulen nga dita në ditë, kjo edhe për shkak të rrethimit të zonës nga talebanët.
Skenat e kaosit u rikthyen edhe një herë në aeroportin më të madh të vendit, pas njoftimit të ambasadës amerikane që iu kërkonte shtetasve të saj të qëndronin larg dyerve të tij për motive sigurie.
Sipas mediave ndërkombëtare, temperaturat e larta dhe shtyrja e herëpashershme e turmës kur shikon një avion të ulet në pistë rrëzoi shumë njerëz në tokë pa ndjenja, 4 prej të cilëve më pas u deklaruan të vdekur.
Ushtarët britanik bënë të pamundurën për t’iu ardhur në ndihmë disa prej tyre duke kërkuar asistencën e stafit mjekësor. Ata i bënë thirrje turmës të qetësohet dhe disa herë hodhën ujë me presion për të bërë të mundur një gjë të tillë.
Të dhënat e fundit tregojnë se situata në Kabul është duke u përkeqësuar. Qeveria gjermane njoftoi gjatë ditës së aksesi në aeroport shpesh nuk është i mundur, ndërsa zona është e rrezikshme.
Ndërsa Ministria e Jashtme zvicerane njoftoi anulimin e një fluturimi me civilë të evakuuar për shkak të përkeqësimit të situatë.