Të paktën 9 të vrarë dhe 300 të plagosur është bilanci i një shpërthimi të dytë të ndodhur këtë të mërkurë nëpër Liban. Këtë herë në shënjestër ishin radiomarrëset, të paktën sipas asaj që raportojnë deri në këto momente mediat ndërkombëtare.
Shpërthimet vijnë vetëm një ditë pasi pajisjet e komunikimet të njohura si ‘Beeper’ apo ‘Pager’ shpërthyen njëherësh nëpër këtë vend, duke i marrë jetën 12 personave, përfshirë 2 fëmijë dhe duke plagosur me mijëra të tjerë.
Pas rastit në fjalë, burime të ndryshme thonë se qëndron Mosadi, agjencia e inteligjencës së Izraelit, e cila shënjestroi luftëtarët e Hezbollahut. Deri më tani, Izraeli ka refuzuar të komentojë.
Hezbollahu përdorte ‘Pagers’ pasi kishte ndaluar përdorimin e telefonave më herët gjatë këtij viti, me argumentin se ishin lehtësisht të gjurmueshëm.
Sa i takon shpërthimeve të kësaj të mërkure nuk dihet ende kush qëndron pas tyre. Por sipas asaj që raporton paraprakisht Reuters, dyshohet se sërish në shënjestër janë luftëtarët e Hezbollahut.
Në Liban raportohet aktualisht për një situatë kaotike. Spitalet janë të mbushura plot me të plagosur nga një ditë më parë. Me dhjetëra ambulanca janë shpërndarë nëpër rrugët e Bejrutit, ndërsa njerëzit kanë filluar të shohin me dyshim ata që përdorin telefona celularë apo pajisje të tjera.