Kampionati italian i futbollit rrezikon sërish të hyjë në një tunel polemikash dhe çështjesh gjyqësore, pas pezullimit të disa ndeshjeve të parashikuara ditën e enjte nga mungesat e lojtarëve të infektuar në disa ekipe, ndërkohë që përballje të tjera u luajtën normalisht, edhe me mungesa.
Ishin katër ndeshje që janë shtyrë të enjten nga autoritetet lokale shëndetësore, por njëra prej tyre rrezikon të ketë një verdikt që tani. Bëhet fjalë për ndeshjen Bolonja-Inter, që mund të përfundojë me rezultatin 0-3 për shkak të një pakujdesie të çuditshme të drejtuesve nga Bolonja.
Çdo ekip para çdo ndeshjeje, i dërgon arbitrit dhe ekipit kundërshtar protokollin e ndeshjes. Normalisht, ekipet që panë ndeshjet e tyre të shtyra nga vendimet e autoriteteve shëndetësore lokale, nuk e paraqitën këtë dokument, ndërkohë që Bolonja e ka bërë. Në fakt, sipas, tyre bëhet fjalë për një draft paraprak që duhet të tregonte vullnetin e tyre për t’u futur në fushë, por që nuk është tërhequr kurrë, dhe si i tillë mbetet një dokument zyrtar i depozituar.
Meqenëse Interi u paraqit rregullisht në stadium, ky gabim mund të ndëshkohet nga Gjykatësi Sportiv me fitoren 0-3 të kampionëve të Italisë në fuqi.
Edhe po mos të donte një fitore kaq të lehtë, pasojat në rregullore do të mbeten, sepse Interi teorikisht mund të paraqiste në ndeshjen e ardhshme me Lazion ato lojtarë të pezulluar një turn, si turku Calhanoglu, që tani duhet t’a shohin përballjen nga tribuna.