Pas mbledhjes së Sekretariatit të Etikës është vendosur që 3 eksponentë të Partisë Demokratike të përjashtohen 60 ditë nga Parlamenti.
Përkatësisht kreu i grupit të PD Gazment Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie Flamur Noka dhe deputeti Bledjon Nallbati.
Ndërkohë janë përjashtuar me nga 40 ditë 20 deputetët e tjerë.
Edi Paloka është i vetmi nga lista e 24 emrave që është “ndëshkuar” me 10 ditë përjashtim.
Në seancën e ditës së hënë, opozitarët dogjën karriget jashtë ambienteve të Parlamentit.
Ishte Noka dhe Nallbati ata që i spërkatën karriget me benzinë dhe më pas u vunë flakën. Noka pati edhe një përplasje me deputetin Petro Koçi, ku tentoi t’i shkulë mikrofonin. Ndërsa Bardhi tentoi të godasë me sende kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali.
Pavarësisht masës disiplinore që u mor, pritet që edhe të enjten të ketë tensione. Të paktën kështu kanë deklaruar vazhdimisht demokratët.