Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu thotë se kapacitetet në katër spitalet Covid, jo vetëm që nuk janë ezuaruar, por kanë gjithmonë vende të lira, kjo është edhe arsyeja sipas saj u hapën spitalet rajonale.
Në një prononcim për gazetarët, Manastirliu tha se në spitalet Covid të Tiranës trajtohen rastet më të rënda.
“Kryeqyteti nuk i ka ezauruar në 4 spitalet Covid kapacitetet, përkundrazi, ka gjithmonë vende të lira dhe prandaj hapen spitalet rajonale, në mënyrë që të krijojnë disponibilitetin e nevojshëm të shtretërve për rastet, që sipas protokollit që ne kemi përcaktuar, për spitalet rajonale dhe algoritmit për raste të cilat duhet të vijnë në Tiranë, që janë raste të rënda dhe që duhen trajtuar me ekspertizën që tashmë e kanë fituar të 4 spitalet Covid në Tiranë, të kenë mundësi të trajtohen. Pra gjithçka është e organizuar sipas një protokolli specifik me algoritme dhe skema specifike. Mjekët e spitaleve rajonale i disponojnë këto protokolle dhe në bazë të rëndesës së rastit, specificiteti që ai ka, dërgohen sipas një transporti me kushte optimale nga Urgjenca Kombëtare, në strukturat tona të spitaleve Covid. Spitalet Covid aktualisht kanë disponibilitet”.
Aktualisht, Ministrja thotë se në spitalet e kryeqytetit janë 600 shtretër në dispozicion. Ndërsa sa i përket spitaleve rajonale, në total janë 140 shtretër.
“Janë 550 shtretër në dispozicion në 4 spitalet e kryeqytetit. Kemi vendosur edhe shtretër ekstra në ato dhoma të cilat kanë patur dhe i kemi përgatitur me strukturat e linjave të gazrave mjekësorë dhe ato shkojnë në 600 shtretër sot. Ndërkohë që në 2 spitalet rajonale që janë hapur aktualisht, i Durrësit dhe Shkodrës, janë 60 shtretër dhe 80 shtretër përkatësisht në dy spitalet. Të gjitha spitalet rajonale janë duke ofruar shërbim për rastet post Covid, që kanë nevojë për një asistencën respiratore kryesisht dhe gjithashtu edhe për rastet që janë të dyshuara apo që janë duke u pritur për analizat dhe që më pas vlerësojnë nëse duhet ë shkojnë në spitalet Covid apo duhet ë qëndrojnë në spitalet rajonale”.
Në dy spitalet rajonale janë rreth 20 pacientë të shtruar.
“Aktualisht në të dy spitalet në Shkodër dhe në Durrës ka rreth 20 të shtruar, pa përfshirë këtu ata të cilët trajtohen për post Covid dhe ata që janë raste të dyshuar. Shtrimet në spitale janë dinamike, pra nuk ka një numër fiks, disa transportohen në Tiranë, disa konfirmohet diagnoza dhe shkojnë në pavione të tjera. Ne disponojmë të gjitha kapacitetet spitalore për të pritur të gjithë rastet që kërkojnë kujdes spitalor në spitalet tona”, përfundoi Manastirliu.