Në ditën e kujtimit të 88-vjetorit të lindjes së aktorit Albert Vërria (1936-2015), Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njoftoi se premiera e variantit të restauruar të filmit “Kapedani”, do mbahet si pjesë e programit TIFF Classics të Tirana International Film Festival (TIFF).
Filmi do të shfaqet më 24 shtator 2024, në Kinema Millennium, me titra në anglisht.
Restaurimi digjital i filmit “Kapedani” u bë i mundur falë projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një nismë e ACE- Association des Cinematheques Europeennes, me mbështetjen e Programit Creative Europe – MEDIA.
“Kapedani” është restauruar nga Dabimus srl – një spin-off i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, nga elementët origjinalë negativë 35 mm të skanuar në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
“Kapedani” mbetet një nga prodhimet më të mira të Kinostudios “Shqipëria e re”. Në një material rreth filmit, AQSHF shprehet se historia e luftëtarit me mustaqe të bardha Sulo, i cili niset nga fshati i tij për në kryeqytet për të zbuluar se pse grave u janë dhënë të njëjtat të drejta si burrat, zë ende vend të rëndësishëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe transmetohet rregullisht nga televizionet kombëtare.
“Një pjesë e arsyes për qarkullimin e vazhdueshëm të këtij filmi mbase është edhe fakti se “Kapedani” paraqitet shumë ndryshe nga filmat e tjerë të kohës të mbushur me kufizime të ngurta stilistike dhe tematike. Në fakt, filmi hapet me një sekuencë në të cilën Sulo krenar imagjinon të përballet me armiqtë e Shqipërisë, që nga turqit osmanë deri te nazistët, të përzierë në të njëjtën fushë beteje. Imagjinata dhe komedia nuk ishin lëndë e artit socialist dhe ky film inovativ konsiderohet si kulmi tragjik i një liberalizmi befasues para se qeveria komuniste e kohës të vinte kufizime të forta mbi lirinë artistike”, thuhet nga AQSHF.