Aktualitet Kapen 1 ton drogë në Vlorë. Tre shtetas në kërkim

Kapen 1 ton drogë në Vlorë. Tre shtetas në kërkim

Një tjetër operacion antidrogë i zhvilluar nga Policia e Vlorës ka çuar në sekuestrimin e 1.030 kilogramë lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa, 6 armëve të zjarrit të llojeve kallashnikov dhe pistoleta, si dhe shpalljen në kërkim të 3 personave.

Operacioni i koduar “plazhi i vjetër” është kryer nga Drejtoria vendore e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Delta Forcën, Policinë Kufitare dhe “Guardia di Finanza”-n italiane.

Ai është zhvilluar rreth orës 1 pas mesnate, në lagjen “1 Maji” të qytetit bregdetar, rreth 30 metra larg nga Porti i Vlorës, teksa në një banesë private të pabanuar janë gjetur dhe sekuestruar 49 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte cannabis sativa me një peshë prej 1.030 kg.

Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe sekuestruan edhe 6 armë zjarri si dhe municion luftarak, ndërsa në afërsi të banesës, në det u pikasën 3 persona me një gomone, të cilët ishin përgatitur për ta transportuar lëndën narkotike drejt Italisë.

Tre personat e identifikuar nga policia janë larguar me shpejtësi në det, ndërsa në ndjekje të tyre janë vënë Policia Kufitare, Delta Force dhe “Guardia di Finanza”, ndjekje që vijon ende.