Dy persona janë vënë në pranga sot në Tiranë për vjedhje parash dhe sendesh me vlerë në një biznes në rrugën “Teodor Keko”.
Policia ka publikuar dhe pamjet ku shihen dy autorët e vjedhjes.
“Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Breake”. Vodhën një shumë parash dhe sende me vlerë, në një biznes në zonën e Unazës së Re, vihen në pranga 2 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, zbardhjen e tyre dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Breake”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit Sh. G., 29 vjeç dhe A. Ç., 40 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas kanë vjedhur një shumë parash dhe sende me vlerë, në një biznes në rrugën “Teodor Keko”. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të aparatit celular të shtetasit A. Ç., u gjetën të hapura faqe që shërbejnë për vendosjen e basteve sportive. Po punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta dy shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin zyrtar.