Prokuroria e Krujës ka zbardhur grabitjes e postës. Tre ditë pas grabitjes policia ka arrestuar gjashtë persona. Të arrestuar si autorë janë; Mark Caka, Gazmir Saka, Hysen Kica, Bujar Tafa dhe Andi Rexhepi (Paturri), ndërsa roja Besnik Parruca i prangosur pas grabitjes akuzohet për shpërdorim detyre.
Hajdutët mëngjesin e së hënës duke përfituar edhe nga fakti i ‘çuditshëm’ i ikjes së dritave në Krujë arritën të grabisnin postën. Gjatë kontrollit të banesave dhe makinave që lëviznin është sekuestruar një sasi lekësh që u grabitën, makina të vjedhura, një pistoletë dhe sende të tjera, që i përdornin për hapjen e kasafortave. Dëshmitë dhe gjurmët e gishtave kanë sjellë zbulimin e autorëve që solli më pas prangosjen.
Operacioni është në vijim dhe mund të ketë edhe persona të tjerë të arrestuar. Personat e arrestuar janë të skeduar si kontigjent kriminal, në vjedhje apo kultivim kanabisi.
Kush është kreu i grupit?
Andi Rexhepi (Paturri) është kreu i këtij grupi që realizoi grabitjen e Postës, ndërsa dyshohet se janë autorë edhe të disa vjedhjeve të banesave në Gjirin e Lalzit. Pjesëtarë të këtij grupi janë të akuzuar dhe në kërkim në Greqi për disa vjedhje. Andi Paturri akuzohet se bashkë me Mirel Xhaferrin dhe Ndue Brungën janë kryer disa grabitje në Greqi.
Drejtori i Postës Shqiptare, Laert Duraj deklaroi dy ditë më parë se shuma që është grabitur në postën e Krujës është 13 mln lekë dhe 1500 euro. Ai tha se sistemi i sigurisë ka funksionuar, ndërsa përgjegjësinë për grabitjen e ka kompania e sigurisë, që do të paguajë deri në qindarkën e fundit.
Autorët kanë pasur informacion të sigurt, pasi në zyrën e postës janë dy kasaforta, ndërkohë që u grabit vetëm ajo që kishte 13 mln lekë dhe 1500 Euro brenda, teksa tjetra nuk është prekur. Autorët kanë përdorur një kamionçinë frigoriferike për të transportuar parat e grabitura.