Në Korçë është arrestuar një 31-vjeçar që ka qenë i kërkuar nga Drejtoritë e Policisë së 4 qyteteve; ai i Vlorës, Fierit, Tiranës dhe Elbasanit.
I riu me iniciale L.S. nga Gjilani i Kosovës, ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të mashtrimit.
Konkretisht, ai është dënuar me 2 vite burg nga Gjykata e Vlorës pasi ka mashtruar dy persona duke përfituar më shumë se 10 mijë Euro.
Një tjetër Gjykatë, ajo e Elbasanit, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën “Mashtrimi, kryer në bashkëpunim”.
Po kështu, Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi në disa raste ka përfituar me anë të mashtrimit shuma parash duke shituar mjete të marra me qira.
Ndaj 31-vjeçarit po zhvillohen hetime edhe nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Fierit, pasi me anë të mashtrimit ka përfituar nga një qytetar një shumë prej 850.000 Lekësh.
Në momentin kur patrulla e policisë së Korçës i kërkoi të ndalonte mjetin për kontroll, 31-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka tentuar të largohet, por u neutralizua dhe u vu në pranga.
Gjatë kontrollit atij gjet një kartë identiteti shqiptare e dyshuar si e falsifikuar, një thikë dhe një sëpatë.