Disa orë pas ngjarjes në Kallmet të Lezhës, ku mbeti i plagosur administratori i njësisë, Besnik Simoni, policia thotë se ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes, Altin Marku, në një shtëpi në fshatin Kallmet.
Besnik Simoni u plagos me armë zjarri sot në mesditë, pak minuta pasi kishte dalë nga zyra. Ai mori tre plumba dhe u transportua menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar.
Zyrtarisht Policia tha se ngjarja u regjistrua pas një sherri që dyshohet të ketë nisur rreth orës 13:30, në fshatin Kallmet në zyrën e Njësisë Administrative mes Simonit dhe Altin Markut. Ky i fundit dyshohet se pas konfliktit verbal, e ka ndaluar në rrugë zyrtarin dhe më pas e ka qëlluar disa herë.
Grupi hetimit këqyri vendin e ngjarjes dhe ka marrë disa dëshmi për sherrin, teksa tashmë pritet që deklarimet e të riut të zbardhin motivet e ngjarjes.
Altin Marku u largua nga vendi i ngjarjes, duke bërë që autoritetet policore të ndërmerrnin një operacion të gjerë për kapjen e tij.