Është arrestuar në afërsi të ish-Stacionit të Trenit një 20-vjeçar për shpërndarje droge. Të riut me iniciale E.K, iu gjetën qindra doza lëndë narkotike (sintetike) LSD.
Antidroga e Tiranës i sekuestroi Kurtit rreth 250 doza të lëndës narkotike LSD, të cilat do t’i shiste në zona të ndryshme të Tiranës.
Një dozë LSD, e cila hyn në listën e drogave më të rrezikshme sintetike, kushton vetëm 30 euro, por pasojat në organizëm i ka të rënda. Edhe kësaj here lënda narkotike erdhi me postë në territorin e vendit tonë dhe dyshohet për bashkëpunëtorë të tjerë që po hetohen.
Vendi i origjinës ishte nga Serbia.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Sekuestrohen qindra doza me lëndë të dyshuara narkotike (sintetike) LSD. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Stacioni”. Si rezultat i tij u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 20 vjeç, banues në Tiranë.
Në afërsi të ish-Stacionit të Trenit, Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 20-vjeçarin, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës, qindra doza me lëndë narkotike (sintetike) LSD. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton Policia.