Bledar Jambelli alias Rikardo Muho, i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së ish-oficerit të lartë të policisë, Artan Cuku, ka përfunduar në pranga.
Lajmi është bërë i ditur këtë të hënë nga Policia e Shtetit, e cila thotë se kapja e 38-vjeçarit është bërë falë bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Në kuadër të shkëmbimit të informacioneve me zyrat homologe dhe bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën është finalizuar me sukses arrestimi në Athinë/Greqi, i personit në kërkim ndërkombëtar, Bledar Jambelli, alias Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier”.
Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dyshohet se Jambelli është njeriu që porositi vrasjen e Cukut, më 8 Prill të vitit 2017.
Po sipas hetimeve, policia thotë se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur Cuku mbante detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.
“Ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ana jonë më datë 13.06.2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë Arrest me burg, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim”, thotë më tej policia. 38-vjeçari pritet tashmë të ekstradohet drejt vendit tonë.
Për vrasjen e Cukut po vuan dënimin ekzekutori i tij Mikel Shallari, i cili ka pranuar se është porositur nga Bledar Jambelli për të kryer këtë krim, në këmbim të një pagese.
Në Qershor të këtij viti, Shallari u dënua me 10 vjet burg.